Futbollisti iranian ia ‘hedh’ me 26 vite burg, kampioni i karates dënohet me vdekje
Futbollisti iranian Amir Nasr Azadani u dënua me 26 vjet burg nga Gjykata Revolucionare për bashkëpunimin e tij të dyshuar në vrasjen e tre anëtarëve të forcave të sigurisë dhe dy krime të tjera të kryera gjatë protestave që kanë tronditur vendin që nga mesi i shtatorit.
Azadani u dënua me 16 vjet burg për bashkëpunim në vrasjen e tre zyrtarëve të sigurimit, pesë për komplot për kryerjen e një krimi dhe pesë të tjerë për pjesëmarrje në grupe të paligjshme me qëllim për të prishur sigurinë publike.
Në të njëjtin gjyq, tre persona u dënuan me vdekje, duke përfshirë Saleh Mirhashmi, kampion i karatesë, dhe Azadani i shpëtoi dënimit me vdekje, megjithëse mediat lokale raportuan se ai ishte në pritje të varjes në publik.
Azadani bëri 17 paraqitje në ligën e parë të futbollit iranian ku veshi fanellat e Ran-Ahan, Tractor dhe Gol-e Rayhan.
Në Iran, protestat kanë qenë aktive në të gjithë vendin në muajt e fundit pas vdekjes së një vajze 22-vjeçare, Mahsa Amini, në paraburgimin e Policisë iraniane të Moralit. Protestat filluan si një rebelim kundër policisë morale të Iranit dhe janë zgjeruar në një nga sfidat më serioze për teokracinë e Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.