Neza: Çdo sjellje e Alibeajt shkon direkt për të furnizuar Edi Ramën, kundër PD

Për gazetarin Sami Neza, vendimi i Enkelejd Alibeajt thjeshtë çon ushqim në makinerinë elektorale të Edi Ramës, kundër PD-së.

Duke folur në ‘Task Force’ në SYRI TV me Sonila Meçon, Neza u shpreh se deputetët e tjerë të këtij grupi duhet të dalin dhe të deklarohen hapur për këtë vendim.

‘Çdo sjellje që do të ketë Enkelejd Alibeaj në këto momente, që nuk i shërben bashkimit mes palëve në PD, shkon direkt për të furnizuar makinerinë elektorale të Ramës, kundër PD-së dhe opozitës. Duhet që anëtarët e PD-së, ata që janë publikisht si mbështetës të Bashës apo Alibeajt, duhet të deklarohen për këtë vendim që ka marrë Alibeaj.

Grupi parlamentar i PD-së, sërish në shenjë përgjegjësie dhe të faktit se ata janë politikanë dhe nuk janë marioneta, duhet të mbledhin grupin parlamentar dhe të marrin vendime për të përcaktuar nëse funksionojnë politikisht apo si ndërmarrje, si llogari bankare apo aksioner, në shërbim të kujt.

Është një moment deçiziv, i cili është shumë i rëndësishëm për ata vetë, për të vënë në vend dinjitetin e tyre përballë agresionit publik që bën prej kohësh qeveria ndaj PD-së. Një prej arsyeve mund të jetë ngushtimi i mbështetjes ndaj Alibeajt në grupin parlamentar’, - u shpreh Sami Neza në SYRI TV.