SYRI TV/ Meta: 'Rilindja', një qeverisje totalisht kundër bujqësisë dhe me qëllim shpopullimin

Mungesa e subvencioneve nga qeveria dhe rritja e kostove të lëndëve të para  kanë bërë që bujqësia të jetë dega e vetme që ka shënuar rënie në 9-mujorin e 2022. Të dhënat e INSTAT flasin për tkurrjen e pandalshme të bujqësisë, të blegtorisë dhe peshkimit. Për kreun e Partisë së Lirisë,  Ilir Meta kjo situatë vjen për shkak të politikave të qëllimta të qeverisë për shpopullimin e vendit. Ai hodhi akuza se toka e fermerëve po i jepet oligarkëve.

Nga SYRI TV

Bujqësia, një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë në vend, është dega e vetme që shënoi rënie në 9-mujorin e 2022.

Të dhënat e INSTAT tregojnë tkurrjen e këtij sektori ku përfshihen pyjet e peshkimi.

Shkak për  këtë rënie është mungesa e subvencioneve nga ana e qeverise,  rritja e kostove të lëndëve të para të kultivimit të produkteve bujqësore nga 50 në 100%, duke sjellë si pasojë reduktimin e sipërfaqeve të mbjella në sera.

Ndërkohë rënie po pëson edhe sektori i blegtorisë.  

Fermat e vogla blegtorale me 1 deri në tre krerë po zhduken me shpejtësi, jo vetëm nga pakësimi i popullsisë, por edhe nga plakja e saj.

Vetëm gjatë vitit 2021 numri i bagëtive është reduktuar mbi 7 për qind, teksa në krahasim me 10 vite më parë numri i krerëve për mish dhe qumësht ka shkuar drejt përgjysmimit.

Lidhur me këtë panoramë të bujqësisë dhe blegtorisë në vend, reagoi edhe kreu  i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Sipas tij, kryeministri Rama po ndjek politika të qëllimta për shpopullimin e vendit.

"Rilindja" një qeverisjeje totalisht kundër bujqësisë dhe me qëllim shpopullimin! Bujqësia, dega kryesore e ekonomisë në vend, që zë gati një të pestën e ekonomisë kombëtare dhe kontribuon me rreth 45% në punësim vetëm po ulet dhe po tkurret në mënyrë të pandalshme. Qeverisja "rilindase" është e vendosur totalisht kundër bujqësisë me qëllim shpopullimin dhe rrëmbimin e tokave të fermerëve për llogari të oligarkëve”.

 

Sipas  Metës, qeveria në Shqipëri, jep dhjetëra herë më pak subvencione për bujqësinë sesa në Kosovë.