Berisha: Rama mbylli skandalin e vjedhjes së 8 milionë eurove në shtëpitë e Gjiknurit dhe Beqës

Kryetari demokrat, Sali Berisha, ka risjellë në vëmendjen e opinionit publik se shtëpitë e zyrtarëve të lartë të qeverisë janë të mbushura me para të vjedhura.

Ai rikujton rastin e banesave të nënës së Damian Gjiknurit dhe Ilir Beqjes, ku thuhet se u morën 8 milionë euro.

POSTIMI I PLOTE

Për rikujtesë!

Shtëpitë e ministrave të Ramës notojnë në para të vjedhura.

Rama mbylli skandalin e vjedhjes 6 vite më parë së 8 milionë euro-ve në shtëpinë e Mama Gjiknurit dhe Beqës, etj.

Afera Gjiknuri-Beqja u mbyll nga Rama.

Gjiknuri mori paratë e vjedhura nga hajduti dhe si shpërblim u bë Sekretar i Përgjithshëm i Rilindjes hajdute!

Por falë Rozeta Dobit që hoqi kapakun e llumit të qeveritarëve të rilindjes, shqiptaret mësuan të vërtetën e dyshekëve me euro të hajdutëve të Edi Ramës, të cilët nuk kanë tunele si bosi i tyre, por përdorin dyshekët dhe dyshemetë e shtëpive te tyre.

Këtu më poshtë keni kronikat e kohës!

Vidhen 8 milionë euro nga shtëpitë e një ministri dhe një ish-ministri të qeverisë, policia fsheh ngjarjen
05/11/2016

Shuma marramendëse parash janë vjedhur në shtëpitë e një ministri dhe ish-ministri të Qeverisë Rama. Mësohet se bëhet fjalë për dy raste të ndryshme vjedhje, ku janë marrë 8 milionë euro në dy banesat e ministrit dhe ish-ministrit, raporton “Syri.net”. Po sipas kësaj agjencie, kjo shifër konfirmohet nga burimet policore dhe deklarimeve sipas një biznesmeni pranë kryeministrit Edi Rama dhe vëllait të tij Olsi Rama. Ngjarja ka ndodhur para disa javësh por është mbajtur e fshehtë nga policia, ndërsa nuk dihet asgjë rreth identitetit të grabitësve. Në dijeni janë vendosur ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Hetimet e uniformave blu janë duke u zhvilluar për të identifikuar dhe arrestuar grabitësit e shtëpive të dy zyrtarëve.

Bastisen shtëpitë e një ministri dhe një ish-ministri, grabiten qindra mijëra euro, policia mban të fshehur ngjarjen
SHKRUAR NGA SOT.COM.AL- 5 NËNTOR 2016

Banesat e një ministri dhe një ish-ministri të qeverisë “Rama” kanë rënë pre e dy grabitjeve nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarjet kanë ndodhur pak javë më parë, ndërkohë që janë mbajtur të fshehta nga ana e policisë. Sipas burimeve të sigurta, i pari që ka rënë pre e grabitjes ka qenë një ministër aktual i qeverisë. Persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e tij dhe kanë arritur të marrin një sasi të madhe parash. Mësohet se ministrit i janë grabitur me qindra mijëra euro. Por duke qenë se bëhej fjalë për shuma të mëdha parash, ngjarja është mbajtur e fshehtë. Shumë ministra të qeverisë aktuale kanë rënë pre e akuzave nga opozita për abuzime, vjedhje dhe përvetësime dhe dalja në dritë e shifrës reale të grabitjes ka trembur ministrin. Por ajo që është më e rëndë, është fakti se janë vënë në dijeni krerët më të lartë të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme. Por ngjarja është diskutuar mes tyre dhe është mbajtur e fshehtë për publikun. Kjo ka rritur akoma dhe më tepër dyshimet dhe hamendësimet se përse fshihet një ngjarje e tillë. Ndërkohë, Policia e Shtetit publikon në media ngjarje nga më të ulëtat, si kërcënime me Facebook, apo individë të arrestuar për drejtim të makinës në gjendje të dehur. Por në këtë rast gjithçka ka qenë hermetike dhe janë porositur individë të caktuar që të mos flasin dhe të japin informacion për këtë çështje. Por skandali është thelluar akoma dhe më tej, pasi pre e një grabitjeje të ngjashme ka rënë dhe banesa e një ish-ministri të po këtij kabineti. Edhe aty individë të caktuar kanë marrë para dhe sende me vlerë, por sërish ngjarja ka mbetur e fshehur nga forcat e policisë dhe drejtuesit e Ministrisë së Brendshme. Duke qenë se bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të shtetit, është vënë në dijeni për këtë rast dhe vetë Ministria e Brendshme, por sërish është kërkuar që gjithçka të mbetet sekrete dhe të mos ketë dalje të detajeve në publik.
-Situata e krimit në vend
Grabitja e banesës së një ministri dhe të një ish ministri është një tregues i qartë se niveli i krimit në Shqipëri ka kapur majat. Teksa arrihet që të vidhen banesat e krerëve më të lartë të shtetit, atëherë banesat e qytetarëve të thjeshtë mund të grabiten pa asnjë lloj problemi. Ministri Tahiri dhe kryeministri Edi Rama prej muajsh me radhë deklarojnë se policia po reformohet dhe se rendi është rritur, por situata duket se nuk është e tillë. Duket se ndërkombëtarët japin një situatë të qartë sa i takon rendit dhe sigurisë në Shqipëri. Nëse u referohemi raporteve të DASH, apo të shteteve të tjera, Shqipëria cilësohet një vend ku sundojnë bandat dhe krimet e rrugës. Shumë ambasada në vendin tonë, qytetarët e tyre kur nisen për udhëtime këtu, i udhëzojnë të bëjnë kujdes pasi grabitjet janë një fenomen shumë i përhapur. Shumë raporte të nxjerra nga ministritë e Jashtme të shteteve partnere e vënë gjithmonë theksin te krimi. Por fakti që te ne po grabiten banesa ministrash dhe ish-ministrash, tregon fare qartë se situata është alarmante. Nga ana tjetër fakti që mbahen të fshira të tilla ngjarje, rrit dyshimet mbi shumat që mund të jenë vjedhur dhe nuk duan t’i zbulojnë.

Vidhet shtëpia e Gjiknurit, dalin thasët, policia e mban të fshehtë

Një nga shtëpitë e ministrit të afërt të Ramës, Damian Gjiknuri është vjedhur në orët e mesditës. Shtëpia gjendet në rrugën “Fortuzi” pas Ministrisë së Drejtësisë dhe është në katin e tretë të një pallati. Hajdutët kanë hyrë në banesë nga dritarja e banjos të banesës
(Të plotë mund ta lexoni në gazetën “RD”, versioni print)- 11 tetor 2017

Kur vidhen shtëpitë e ministrave del se kishin shumë para; po shumë

Kaq shumë, sa mund të thuash se nuk dihet ende sa shumë para janë vjedhur në shtëpinë e ministrit Gjiknuri. Ai ka katër vjet ministër dhe doemos që duhej të kishte shumë para të fshehura. Me sa duket, Damian Gjiknuri i kishte fshehur paratë në shtëpinë e nënës së tij të mjerë që e sulmuan banditët.
Policia ka bërë me dije sot se ëhstë grabitur shtëpia e nënës së Gjiknurit ku janë marrë shuma parashë. Më parë gazeta e PD, “RD” kishte njoftuar për vjedhjen. Edhe kjo është një ‘ngatërresë’ tjetër mes palëve politike, të cilat ia dinë njëri tjetrit shtëpitë ku fshihen paratë.
Por sidoqoftë, lajmi përgjithësisht rezultoi i vërtetë.
Edhe sipas policisë është grabitur banesa e nënës së ministrit, e cila jetonte me djalin e dytë. Ngjarja mësohet se ka ndodhur dy net më parë, ndërsa autorët raportohet se kanë marrë shumë para- sipas policisë. Kallëzimin për grabitjen e ka bërë në Policinë e Tiranës, nëna e ministrit të Energjitikës, Damian Gjiknuri./Veritas.com.al/

Vidhet ministri i Edi Ramës, arrestohen hajdutët që hynë në shtëpinë e Damian Gjiknurit
11.10.17-Gazeta Shqiptare

Policia e Tiranës ka shoqëruar sot ne komisariat dy autorë, si të dyshuar për vjedhjen e shtëpisë së nënës në ministrit Gjiknuri. Ende nuk ka detaje rreth dy dyshuarve, të shoqëruar në polici.
“Vidhet shtëpia e Gjiknurit, dalin thasët, policia e mban të fshehtë”, kështu ka shkruar sot në faqen e parë gazeta Rilindja Demokratike. Sipas saj, shtëpia e ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri është vjedhur në orët e mesditës. Sipas gazetës së PD-së, shtëpia e ministrit të afërt të Ramës, gjendet në rrugën “Fortuzi” pas Ministrisë së Drejtësisë dhe është në katin e tretë të një pallati. Hajdutët kanë hyrë nga dritarja e banjos të banesës dhe kanë marrë thasë me para, por sipas RD policia është kujdesur të fshehë ngjarjen.
Njoftimi i Policisë: Gjatë natës, në rrugën “Maliq Muça”, persona të paidentifikuar, kanë vjedhur banesën e shtetases L. Gj. 67 vjeçe banuese në Tiranë, ku kanë marrë shumë lekësh. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autoreve. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Neni 134 i Kodit Penal.