SYRI TV/ Degradon 'Veliera' në Durrës, gropa me ujë dhe mbetje urbane
“Veliera” në Durrës u ka kushtuar 9 milionë euro xhepave të shqiptarëve, por ende pa përfunduar, ky projekt po degradon. Aktivistët e shoqërisë civile kundër këtij projekti shprehen besimplotë se pas hetimeve prokuroria do të vendosë për shembjen e këtij objekti
SYRI TV
Ky masiv hekuri i quajtur “Veliera e Durrësit” u ka kushtuar taksapaguesve durrsakë dhe atyre shqiptarë plot 9 milionë euro. Ndonëse projekti nuk ka përfunduar ende, ai po shkon drejt degradimit të plotë.
Siç shihet nga pamjet, struktura e betonit është dëmtuar, gropat janë mbushur me ujë dhe plehra, ndërsa hekurat kanë nisur të ndryshken.
Për aktivisten Teuta Kalakula, një ndër personat që ka dërguar në prokurori çështjen e “Velierës”, ky objekt duhet të shembet. Ajo shprehet besimplotë se pas përfundimit të hetimeve, prokuroria do të vendosë për të çmontuar masivin e hekurit që ka dëmtuar zonën arkeologjike në Durrës.
Edhe ish-kompozitori Gëzim Çela, një ndër aktivistët kundër ndërtimit të “Velierës”, shprehet se ky objekt është simbol i sistemit korruptiv dhe shpërdorimit të fondeve.
Projekti i “Velierës” ka nisur prej disa vitesh, por ende nuk ka përfunduar, pasi çështja është dërguar në prokurori për shkak se objekti u ndërtua mbi një zonë arkeologjike.