EMRI/ Çokollata, çaj, puro dhe karamele me kanabis, arrestohet i riu
Një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës pasi tregtonin mallra të kontrabanduara me përbërje kanabisi.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një shtetas që tregtonte produkte me përbërje kanabisi, të dyshuara të kontrabanduara në vendin tonë, menjëherë kanë organizuar operacionin policor të koduar “Mix”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale".
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua shtetasi Ardit Bala, 21 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi T. T., 26 vjeç.
“Gjatë kontrollit në dyqanin e shtetasit T. T., me punonjës shtetasin A. B., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, produkte të ndyshme të dyshuara të kontrabanduara, të cilat sipas mbishkrimit në paketim, kishin në përbërje lëndë narkotike cannabis sativa”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mes mallrave me kanabis kishte çokollatë, çajra, karamele, puro, etj.