Dëshmia e pastrueses: Të gjithë paratë dhe gjërat i mora tek Alda Klosi

Ndërsa ditën e djeshme kanë dalë para Gjykatës nënë e bir, që i bastisin të gjithë valutën dhe sendet me vlere ish-këshilltares së Arben Ahmetajt, Prokuroria ka shpërndarë dëshmitë e tyre.

Ndonëse 49-vjeçarja Rozeta Dobi pretendon në të gjithë rrëfimin e saj se paratë dhe sendet e kushtueshme që janë gjendur në shtëpinë e saj janë marrë të gjitha te banesa e Alda Klosit, Prokuroria ende i faturon si shifër dëmi zyrtares së lartë vetëm shifrën prej 120 mijë eurosh. Ndërkohë, ende nuk është përcaktuar shtëpia apo ‘viktima’ e marrjes së shumës marramendëse prej të paktën 400 mijë eurosh.

Por Dobi këmbëngul në faktin se paratë ia mori Aldës për shkak se e urrente, por nuk e ka shpjeguar se përse e ka krijuar gjithë atë urrejtje që e bëri t’i bastise qindra mijëra euro në banesë bashkë me të birin. Ose ky është versioni që ka nxjerrë Prokuroria deri më tani, pasi pretendohet se hetimet do të vazhdojnë. Nënë e bir u lanë në burg pa afat nën dy akuza të rënda në fakt, ndërkohë që ende nuk bëhet me dije se në çfarë faze hetimore është verifikimi i pasurisë së Alda Klosit, e cila u akuzua që në krye të herës si pjesë aferave të inceneratorëve, por Prokuroria asnjëherë nuk ngriti akuzë ndaj saj.

Kurse Havier Dobi ka rrëfyer hap pas hapi mënyrën sesi bashkë me të ëmën, Rozetën, ka vjedhur banesën e zyrtares Alda Klosi, ish-shefe e kabinetit në Ministrinë e Rindërtimit, gjatë kohës kur drejtohej nga Arben Ahmetaj. I riu i akuzuar se së bashku me mamanë e tij ka vjedhur qindra mijëra euro, ka rrëfyer para grupit hetimor se si mamaja e tij i ka treguar paratë. Në dëshminë e Dobit, thuhet se më 15 dhjetor në mëngjes, ai ka shkuar te ‘Rruga e Kosovarëve’, ku ka marrë mamanë. Ajo kishte një çantë shkolle ‘Adidas’. Atje ndodheshin të gjitha paratë dhe sendet me vlerë që u grabitën, me të cilat Havieri deklaron se ka blerë edhe 2 makina “Mercedes Benz”.

“I është marrë deklarim të dyshuarit Havier Dobi, i cili ka deklaruar se, në datën 15.12.2022, rreth orës 09:00, ai ka shkuar me makinën e tij ‘MercedesBenz’ ngjyrë gri me targa AA390VT së bashku me mamanë e tij te ‘Rruga e Kosovarëve’ pasi mamaja e tij punonte si sanitare te një banesë në kompleksin ‘Orion’. Pasi kanë vajtur në ‘Rrugën e Kosovarëve’, ka parkuar makinën dhe ka qëndruar rreth 20 minuta brenda në makinë. Më pas ka zbritur nga makina dhe ka vajtur te hyrja e pallatit për të parë vendin që i kishte thënë mamaja e tij dhe më pas është kthyer përsëri në makinë. Nga aty, pak minuta më pas ka dalë mamaja nga makina dhe ka shkuar te banesa ku ajo pastronte. Ka qëndruar rreth 10 minuta dhe pasi ka dalë me vete ka pasur një çantë shkolle ‘Adidas’, ku ka hipur në makinë dhe kanë zbritur në lagjen ku ata banojnë. Në momentin që kanë arritur te lagjja ka vënë re se mamaja e tij ka nxjerrë nga çanta një kasafortë dhe e ka hedhur te koshat e plehrave. Disa ditë më vonë, mamaja i ka treguar një shumë parash me prerje 500, 200 eurosh, me prerje 100 dollarësh dhe 50-she lekë, ku i ka sqaruar se këto lekë ajo i kishte marrë te banesa te ‘Rruga e Kosovarëve’ te banesa ku ajo punonte si sanitare. Deklaron se me një pjesë të këtyre parave kishte blerë dy makina tip ‘Mercedes Benz’. Njëra ngjyra e bardhë me targa AA907LZ, ndërsa tjetra ngjyrë e zezë me targa AC055HD”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Me kokën ulur dhe të heshtur, Rozeta e Havier Dobi dolën dje para Gjykatës së Tiranës, e cila i la në arrest në burg për vjedhjen e rreth 700 mijë eurove në banesa të ndryshme në kryeqytet. Krimi i tyre u zbardh pas denoncimit që bëri në polici ishdrejtoresha e koncesioneve në Ministrinë e Ekonomisë në kohën kur ministër ishte Arben Ahmetaj. Në dosje thuhet se denoncimi i parë është bërë më 15 dhjetor nga Alda Klosi, e cila ka konstatuar vjedhjen dhe që në fillim ka thënë se dyshonte te pastruesja e saj.

“Ajo është telefonuar nga vajza e saj dhe i ka komunikuar se dera e banesës ishte e hapur, ajo i ka komunikuar se e kam mbyllur dhe më pas ka shkuar te banesa, ku ka konstatuar se te dhoma e gjumit të gjitha rrobat e dollapit kanë qenë të hedhura mbi krevat dhe në dysheme. Pas kontrollit të bërë, ajo sqaron se i mungonin të gjitha bizhuteritë të shumë viteve, të cilat i ka pasur te sirtari i parë i komodinës së vogël, në krah të dollapit. Në lidhje me vjedhjen e banesës së saj e dëmtuara ka pasur dyshimet kryesore te pastruesja e cila quhet Rozeta Dobi”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Alda Klosi deklaroi se në banesën e marrë me qira te Rruga e Kosovarëve, më 15 dhjetor i ishin grabitur 120 mijë euro dhe e dyshuara kryesore ishte pastruesja e saj, Rozeta Dobi. Zyrtarja e administratës, Alda Klosi, në dëshminë e dhënë në polici ka pohuar se pas kontrollit të bërë i mungonin bizhuteritë e shumë viteve, të cilat i ka pasur në dhomën e gjumit. Pas arrestimit të së dyshuarës dhe të djalit të saj në ambientet e paraburgimit policia kreu një përgjim ambiental mes Rozeta e Havier Dobit, ku të dy i kërkuan njëri-tjetrit marrjen e fajit përsipër. Nga dialogu i tyre Policia ushtroi edhe një herë kontroll ku në tubin e aspiratorit gjeti më shumë se 400 mijë euro dhe bizhuteri floriri.

Para uniformave blu, Rozeta Dobi ka dëshmuar se vjedhjen e ka kryer në shenjë hakmarrje ndaj Alda Klosit, pasi e urrente për mënyrën si ajo e trajtonte. Për vjedhjen kërkoi ndihmën e të birit dhe shkatërroi dhomën e gjumit për ta inskenuar si grabitje dhe të hiqte dyshimet nga vetja. Nga ana tjetër, i biri Havier Dobi në letrat e dërguara të atit nga paraburgimi ia hedh fajin të ëmës duke u shprehur se nuk do t’ia falë kurrë. Nënë e bir dyshohen se kanë grabitur 4 banesa të familjeve VIP, përveç asaj të zyrtares Alda Klosi ku morën 120 mijë euro.

Teksa ndodhet pas hekurave bashkë me djalin e saj, 49-vjeçarja ka deklaruar në dëshminë e parë të dhënë për Policinë se ka grabitur shumën prej 120 mijë eurosh “nga urrejtja që kishte krijuar ndaj shtetases Alda Klosi”. Ajo ka treguar se më 15 dhjetor i kërkoi djalit ta dërgonte në banesën e zyrtares dhe më pas ka hyrë në dhomën e saj, duke hapur kasafortën ku ndodheshin monedha të prerjeje 500, 200 euro dhe 100 dollarë. Pasi ka marrë shumën e konsiderueshme dhe bizhuteri me vlerë, ajo është larguar me mjetin e të birit. Ngjarja ndodhi në ‘Rrugën e Kosovarëve’, në një banesë ku Klosi e kishte marrë me qira prej 2 muajsh.

“Në datë 15.12.2022 i kërkova djalit tim, shtetasit Havier Dobi, të më dërgonte me makinë te banesa e Aldës. Gjatë kontrollit ka vënë re se në dhomën e gjumit në dollap ajo mbante një kasafortë, e cila ishte në ngjyrë gri. Pasi e ka hapur atë, brenda saj ka konstatuar se ndodheshin shuma monetare të prerjeve 500,200 euro dhe 100 dollarë, në moment që i ka parë këto shuma parash nga urrejtja që kishte krijuar ndaj shtetases Alda Klosi i ka marrë paratë dhe është larguar më pas me mjetin e djalit të saj. Deklaroi se shuma e parave të gjetura në banesën time është nga shuma e lekëve që ka marrë në banesën e shtetases Alda Klosi”, thuhet në dosje. Në dosjen e Prokurorisë përcaktohet qartë dhe shuma e parave që janë gjetur në banesën e 49- vjeçares, ndërsa bëhet fjalë për një shumë rreth 400 mijë euro, 8500 dollarë dhe bizhuteri.

“Mbi bazën e dyshimeve se në banesë fshiheshin edhe sende të tjera, është kontrolluar me imtësi banesa e të dyshuarve dhe në tubin e aspirimit janë gjetur të fshehura një shumë prej 404, 800 euro, 8 500 USD dhe një sasi e konsiderueshme bizhuterish, të cilat dyshohen se iu përkasin edhe personave të tjerë ku Rozeta Dobi ka punuar si pastruese”, thuhet në dosje.