VIDEO/ Dëborë e dendur mbulon fshatrat malorë të Korçës, nis pastrimi i rrugëve

Dëborë në zonat malore të qarkut të Korçës. Burimet zyrtare bëjnë me dije se reshjet e borës kanë rënë në lartësinë 1250 metra, përfshirë këtu edhe segmentin rrugor nga muri i Musait e deri në Dardhë.

Dëborë ka pasur në Shtyllë e deri në majë të Mashkullorës, ashtu siç ka pasur edhe në fshatrat e Vithkuqit si dhe në fshatrat rrëzë malit të Gramozit në Kolonjë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, sektori i Korçës, bëri me dije se është punuar gjatë natës për pastrimin dhe kriposjen e rrugës së Dardhës, aty ku trashësia e borës ka shkuar deri në 10 cm.

Nga ana tjetër, nga bashkia e Korçës, është punuar edhe për pastrimin e rrugës nga Vithkuqi në Shtyllë dhe më tej edhe drejt majës së Mashkullorës.

Nuk raportohen probleme për sa i përket lëvizjes në fshatrat e thella ku ka pasur edhe reshje dëbore.