FOTO/ Ja pozicioni në BE i diplomatit që propozoi 'vjedhjen' e votave të PD
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, dhe përfaqësuesit kryesorë të koalicionit opozitar janë ankuar përmes një shkrese në Bashkimin Europian në lidhje me një zyrtar të BEsë në Tiranë, shkruan Panorama. Vendimi për këtë shkresë është marrë pas një takimi që Basha zhvilloi në selinë blu me aleatët e tij, Mediu, Ndoka, Duka e Dule, të cilët kanë ngritur shqetësimin e tyre lidhur me ofertat që një zyrtar i BEsë ka bërë gjatë takimeve të zhvilluara në Tiranë.
Shqetësimi i përfaqësuesve të koalicionit opozitar lidhet me shefin e divizionit për Ballkanin Perëndimor, Eduard Auer, i cili, sipas tyre, gjatë takimeve të zhvilluara me ta, u ka kërkuar që të ndalin bojkotin parlamentar dhe të bëhen pjesë e zgjedhjeve duke përfituar nga mungesa e PD-së në proces për të marrë më shumë mandate. Shqetësimin në lidhje me këtë çështje, koalicioni opozitar ia ka shprehur edhe ministres së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini. Aleati i Bashës, kreu i PRsë, Fatmir Mediu, nga çadra e demokratëve tregoi dje një pjesë të bisedës së zhvilluar me përfaqësuesit e BEsë. “Dëgjova një përfaqësues të BE të thotë ‘shumë mirë që PD nuk hyn në zgjedhje, sepse kështu partitë e tjera mund të fitojnë më shumë vende në Parlament’”, tha Mediu.
Kush është Eduard Auer, takimet në Tiranë më 6 prill
Eduard Auer mban detyrën e shefin të divizionit për Ballkanin Perëndimor në KE. Auer ka zhvilluar së fundmi një vizitë zyrtare në Tiranë, më datën 6 prill, ku edhe ka realizuar disa takime me përfaqësues të qeverisë dhe opozitës. Përfaqësuesi i BE-së mësohet se gjatë kësaj vizite ka takuar në një takim të veçantë kreun e PR-së, Fatmir Mediu, kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi, kreun e PAA-së, Agron Duka, me të cilët ka diskutuar lidhur me krizën politike në vend dhe mundësitë e zgjidhjes.
Sipas burimeve, pikërisht në këtë takim, zyrtari i BE-së u ka kërkuar aleatëve të Bashës të bëhen pjesë e zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar edhe përfitimet që partitë opozitare do të kishin sa u takon mandateve parlamentare në mungesë të Partisë Demokratike. Ish-kryeministri Berisha i kërkoi dje Komisionit Europian të largojë nga detyra Auer, për shkak të veprimit të turpshëm që ky i fundit ka realizuar në Tiranë, duke bërë diversione me partitë opozitare./Panorama