Gazetarja: Pati 15 kallëzime për sanitaren, i tërhoqën pas lajmit për paratë e Alda Klosit
Gazetarja Anduena Llabani u shpreh në Task Force me Sonila Meçon se ka patur edhe 15 kallëzime të tjera për sanitaren Rozeta Dobi.
Llabani tha se kallëzimet janë tërhequr aktualisht, pasi doli lajmi për Alda Klosin, zyrtaren e Arben Ahmetajt, të cilës sanitarja i vodhi në shtëpi mbi 500 mijë euro.
"Sot kemi edhe shtëpi të tjera që janë kontrolluar me vendim të Prokurorisë. Ka patur rreth 15 kallëzime të personave të ndryshëm në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Por pas daljes së lajmit, kallëzimet janë tërhequr. Për zhdukje të bizhuterive, për të njëjtën person. Por pas lajmit që u gjetën edhe paratë e zonjës Klosi, kallëzimet janë tërhequr. Kallëzimet janë bërë javën e fundit. Dalja e lajmit për zonjën Klosi, bërja e saj me përgjegjësi penale se ku i gjete paratë, janë 15 persona që kanë tërhequr kallëzimet", tha Llabani.