Vjedhja në shtëpinë e zyrtares, Rama lëshon Ahmetajn: T'i shkohet deri në fund historive me para të pista
Edi Rama ka reaguar lidhur me vjedhjen e kryer nga sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj, Havier Dobi në shtëpinë e ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt.
Rreth 500 mijë euro është shifra e parave dhe sende të tjera me vlerë që u grabitën te shtëpia e Alda Klosit.
Në një postim në Facebook, Rama ka deklaruar se duhet t'u shkohet deri në fund hetimeve dhe forca e ligjit duhet të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme.
Kreu i qeverisë ka shtuar se kjo ka qenë edhe arsyeja e Reformës në Drejtësi dhe se mburoja e vjetër politike për të tilla raste ka rënë.
Reagimi
Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit!
E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë!
Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë.