‘Të bëjmë një kullë te presidenca, më tha Rama’-Iriqi bisedon me Bajram Begaj

Iriqi:-Të bëri vizitë Rama para ca ditësh. A mund të na japësh ca hollësira?

Begaj:-Atë ditë festuam Vitin e ri në presidencë.

Iriqi:-Me një javë vonesë?

Begaj:-Po, se Rama na tha që do vinte te unë për vit të ri. E deri sa nuk erdhi kuptova që akoma në Shqipëri nuk kishte trokitur viti i ri. Në datën 6 janar Edi mbërriti tek ne ndaj e festuam.

Iriqi:-E në se do vinte Rama më 1 qershor psh?

Begaj:-Atëherë do e festonim vitin e ri, më 1 qershor. Unë prandaj jam president. T’i besoj symbyllur kryeministrit.

Iriqi:-Po ç’folët atë ditë?

Begaj:-Jo ç’folët se unë veç dëgjova. Ai foli e më porositi:

1-Të firmos që tani paradhënie gjithë ligjet që do miratojë kuvendi gjatë vitit 2023.

2-Të mos kthej asnjë ligj.

3-Të bëj kërkesë për shkatërrimin e presidencës.

Iriqi:-Pse?

Begaj:-Do bëjmë një kullë të bukur këtu, më tha. E ka prekur tërmeti si strukturë, më pyeti Rama. E ka bërë të rrezikshme, i thashë. Kemi frikë të punojmë, po si ushtarak që jam e kam gëlltitur tmerrin, u mburra.

Iriqi:-Është dëmtuar vërtetë?

Begaj:-Jo, jo, po mua më ndalohet t’i them jo atij. Ndaj mori në telefon ata të institutit të projektimit e i urdhëroi të bëjnë një raport shembjeje. Pastaj i tha Dallëndyshes, dërgoji fadromat këtej nga presidenca. Ja, kaq, për këtë erdhi.

Iriqi:-Po ti ku do punosh?

Begaj:-Më tha zgjidh një kat të kullës. Po ç’e dua një kat, i thashë. Një hyrje dhomë e kuzhinë boll e kam, unë shoferi e roja. E po zgjidh një hyrje të shohë Dajtin, u tregua xhentil Rama. Dua hyrje të shoh kryeministrinë, u ngazëlleva. Të të shoh ty, shpreha dëshirë. Prisja që ai të gëzohej, por u mërzit.

Iriqi:-Pse çfarë të tha?

Begaj-Atëherë puno nga shtëpia, ma preu dhe iku.

Iriqi:-Je mërzitur?

Begaj:-Shumë. Kam frikë se më shkarkon. Ndaj sot mora një masë racionale.

Iriqi:-Çfarë?

Begaj:-Pushova pastruesen te shtëpia. Më kishte hyrë një frikë e madhe.

Iriqi:-Mos të vidhte paratë?

Begaj-Jo,jo por kam plot kambale e qafore nga ushtria. Qoftë larg na i rrëmben pastruesja e hajde jep llogari para popullit se ku i gjeta aq palë kambale e aq copë qafore.