SYRI TV/ KQZ nis procedurat për zgjedhjet vendore, 29 janari është afati i fundit për anëtarët e KZAZ

KQZ miratoi projektvendimin për caktimin e anëtarëve të KZAZ-ve për zgjedhjet lokale të 14 majit.  PS dhe PD do të kenë nga 2 anëtarë për çdo KZAZ, nga 1 anëtar PL dhe PSD, ndërsa anëtari i shtatë do të zgjidhet me short mes socialistëve dhe demokratëve. 29 janari është afati i fundit që  kanë partitë politike për të dërguar emrat e anëtarëve. Ndërkohë KQZ vendosi edhe për fatin e mandatit të Agron Kapllanajt, i dënuar në Itali për vjedhje.

Nga SYRI TV

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve  nisi zyrtarisht procedurat për zgjedhjet lokale të  14 majit. Në mbledhjen e kësaj të hëne, KQZ miratoi projektvendimin për përcaktimin e anëtarëve të  Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor ku PS  do të propozojë 2 anëtarë për çdo KZAZ,  Partia Demokratike 2 anëtarë, Partia e Lirisë 1 anëtar në çdo KZAZ dhe Partia Socialdemokrate, 1 anëtar. Ndërkohë anëtari i shtatë do të zgjidhet me short mes PS  dhe PD.

Një nga pikat e diskutimit të mbledhjen e KQZ ishte edhe verifikimi i figurës së  kandidatit të PD për deputet në qarkun e Fierit, i Agron Kapllanajt. 

Pas marrjes nga prokuroria të skanerit nga aktiviteti penal i Kapllanajt, KQZ konfirmoi se ish-kryebashkiaku ka qenë i dënuar me 2 vjet burg në Itali për vjedhje.  Por sipas KQZ, fakti që Kapllanaj e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit dënimin dhe hetimin nga autoritetet italiane, nuk e përfshin atë në kushtet e ndalimit për të kandiduar si deputet.

KQZ sqaroi se i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për  verifikim  më të thelluar për këtë çështje. Me të njëjtat argumente, KQZ vendosi që nuk është në kushtet e ndalimit të kandidimit edhe kandidati i  PSD për qarkun e Tiranës,  Kleo Murataj, i dënuar për armëmbajtje pa leje.