VIDEOLAJM/ Vodhën zyrtaren e Ramës, pastruesja qan para gjykatës

Nënë e bir, të cilët grabitën rreth 700 mijë euro, dolën sot para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Rozeta dhe Havier Dobi u vunë në pranga pasi rezulton se kanë grabitur shuma të majme parash nga banesa e një zyrtareje të lartë të Edi Ramës, të quajtur Alda Klosi.

Rozeta Dobi u shfaq në lot përpara gjykatës. Ndërsa i biri nuk shfaqte emocione.

Fillimisht u raportua se nënë e bir kanë vjedhur rreth 120 mijë euro, ndërsa grabitja është kryer nga 49-vjeçarja, duke shfrytëzuar mungesën e Klosit, kurse i biri 23-vjeçar e priste jashtë me makinë.

Diskutimi i nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi, pas arrestimit, në ambientet e paraburgimit të Bllokut të Sigurisë, ka çuar sërish Policinë e Tiranës në banesë e tyre një ditë më parë. Të dy janë përgjuar teksa flasin me njëri-tjetrin edhe për vlera të tjera parash që i kishin akoma në banesë dhe që nuk janë gjetur nga policia.

Diskutimi i nënë e bir ka qenë me kode, duke u shprehur se paratë janë lart në shtëpi, të cilat do i përdorte Rezeta për të nxjerr Havierin nga burgu, pasi plani i të dyve ishte që fillimisht 23-vjeçari të merrte përsipër fajin. Pas përgjimit policia menjëherë zbarkoi në banesë dhe gjeti  404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat ishin të paketuara, të fshehura në tubin e aspirimit.