Sulmi me kimikate në Gjermani, kontrollohen garazhet e përdorur nga iraniani - FOTO

Berlin - Hetuesit gjermanë kontrolluan të hënën dy garazhe të përdorura nga një iranian i arrestuar me dyshimin se po planifikonte një sulm me kimikate vdekjeprurëse.

I dyshuari 32-vjeçar dhe vëllai i tij 25-vjeçar u arrestuan të shtunën mbrëma në Castrop-Rauxel, në Gjermaninë perëndimore, pas një informacioni nga zyrtarët e sigurisë amerikane.

Autoritetet thonë se burrat dyshohet se kishin planifikuar një sulm serioz të motivuar nga ekstremizmi islamik, për të cilin të paktën njëri prej tyre dyshohet se kishte kërkuar të merrte toksinat e fuqishme cianid dhe ricin.

Një gjykatë në Dortmund të dielën në mbrëmje urdhëroi që të dy të mbahen në paraburgim në pritje të një aktakuze të mundshme, thanë prokurorët në Duseldorf në një deklaratë. Ata dyshohen për komplot për vrasje, një akuzë që mund të dënohet me burg nga tre deri në 15 vjet.

Prokurorët thanë të dielën se në një kontroll fillestar në shtëpinë e të dyshuarit më të madh në moshë nuk u gjetën substanca toksike.

Të hënën, ata thanë se kishin zbuluar se ai përdorte dy garazhe në oborrin e pasmë të një shtëpie në Castrop-Rauxel që gjithashtu po kontrolloheshin me ndihmën e punonjësve të trajnuar për substancat e mundshme të rrezikshme.

Nuk ishte e qartë se sa të avancuara ishin planet për një sulm dhe nëse të dyshuarit kishin zgjedhur një objektiv specifik.