VIDEO-SYRI TV/ Lagjet e Vlorës si në mesjetë, ‘lufta’ Rama-Leli penalizon banorët
Lufta e brendshme politike mes kryeministrit Rama dhe të zgjedhurit të tij në Bashkinë e Vlorës, Dritan Leli, ka penalizuar qytetarët e Vlorës.
Mungesa e fondeve, duket se është bërë shkak që në shumë lagje të qytetit të mos ketë investime në infrastrukturë prej vitesh, ndërsa ata që e vuajnë këtë situatë janë qytetarët.
Teksa në disa bashki të vendit, qeveria ka zgjidhur thesin duke akorduar fonde për asfalt elektoral, duket se e njëjta gjë nuk ka ndodhur në Vlorë, e cila vuan pasojat e luftës së brendshme mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit socialist të Bashkisë Vlorë, Dritan Leli.
Mungesa e fondeve për investime, ka bërë që shumë lagje të Vlorës të vijojnë të ngjasojnë si në mesjetë.
Këto janë pamjet e rrugëve të brendshme të lagjes 28 nëntori në Vlorë, ku siç shihet, infrastruktura rrugore është shumë larg asaj që duhet të ishte për një qytet turistik si Vlora.
Një tjetër shqetësim, është dhe mungesa e pastrimit të mbetjeve urbane në këtë zonë..
Në zonë jetojnë mbi 1000 familje të cilat çdo ditë jetojnë mes baltës dhe pluhurit, të cilat kanë vështirësuar jo pak jetën e këtyre banorëve.