Plagosja e dy të rinjve serbë/ Berisha: PD e dënon këtë akt të shëmtuar

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, e ka dënuar ashpër plagosjen e dy të rinjve serbë në Shtërpcëduke e konsideruar një krim të shëmtuar dhe po ashtu, ka dënuar edhe përpjekjet e qeverisë serbe për ta shfrytëzuar këtë akt për  të rënduar marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë.

“Një krim i shëmtuar” shkruan Berisha në krye të mesazhit të tij në Fb:

“Partia Demokratike dënon aktin e rëndë dhe të shëmtuar kriminal të plagosjes nga një shqiptar, të një fëmije 11 veç dhe një të riu 21 vjeç të etnisë serbe në komunën e Shtërpcës. Duke iu uruar shërim të shpejtë të plagosurve, institucionet e Kosovës për reagimin e tyre të shpejtë ligjor, identifikimin dhe arrestimin e autorit të krimit dhe shtoj se janë të padenja përpjekjet e Beogradit për të shfrytëzuar këtë akt kriminal të dënueshëm me qëllime politike për të rënduar marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë,” nënvizon kreu i PD.

Çfarë ndodhi në fshatin Shtërpcë të Ferizajt? Njoftimi zyrtar sipas policisë së Kosovës.

Plagosen dy persona në Shtërpcë

Më 6.01.2023 rreth orës 15:19, policia (Stacioni Policor Shtërpcë) ka pranuar një informatë se në fshatin Drajkovc të Shtërpcës dy persona, njëri rreth 11 vjeçar dhe tjetri rreth 31 vjeçar janë plagosur nga arma e zjarrit nga personi/persona të panjohur i cili/të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Dy të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshme mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në Graçanicë. Të dy të plagosurit, nga informacionet që kemi, janë jashtë rrezikut për jetë.

Janë marrë të gjitha veprimet nga policia, policia e rendit e më pas hetuesit policorë dhe krimteknika nga Sektori Rajonal i Hetimeve, nën autorizim të prokurorit kujdestar nga PTH-Ferizaj kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe i kanë nisur hetimet.