Vrau të riun nga Kukësi, Prokuroria e Kosovës kërkon raport për të gjitha krimet e mëparshme të 'Kobrës'

Organet e drejtësisë në Kosovë kanë nisur hetim të thelluar për rastin e Dibran Hoxhajt, pronarit të lokalit “Kobra City” në Prizren, që qëlloi mbi dy klientët e tij duke vrarë të riun nga Kukësi, Visart Cengaj dhe plagosi një tjetër pak pas Vitit të Ri.

Nisur nga fakti se Dibran Hoxhaj kishte pasur precedent të mëparshëm dhe të shumë dhe megjithatë në të gjitha rastet nuk ishte dënuar sipas ligjit, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim që kryeprokurori i Prizrenit të paraqesë një raport të plotë me të gjithë veprimet që janë ndërmarrë ndër vite ndaj Hoxhaj.

Në njoftimin që mban datën 6 janar 2023, thuhet: “Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njofton opinionin publik se menjëherë pas rastit të fundit të vrasjes së ndodhur në Prizren ku i dyshuar është Dibran Hoxhaj, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit të përgatisë raport lidhur me gjitha veprimet prokuroriale të ndërmarra ndër vite ndaj tij. Këshilli Prokurorial i Kosovës, në bazë të kompetencave ligjore që ka, do të trajtojë me kujdes të gjitha veprimet e ndërmarra ndër vite nga prokuroria përkatëse ndaj Dibran Hoxhaj dhe çdo lëshim eventual do të sanksionohet në bazë të akteve ligjore në fuqi.”