SYRI TV/ Veliaj, miliona për asfalt elektoral, punimet nisin pa u shpallur tenderi

Erion Veliaj dhe bashkia e Tiranës nuk i kursejnë milionat për asfalt elektoral edhe në këto prag zgjedhjesh. Rasti më i fundit është shënuar në zonën e Freskut ku bashkia ka ndërhyrë gjatë natës për asfaltimin e rrugës “Xhon Belushi”. Por veç asfaltit elektoral, ky projekt mbulohet me skandal pasi punimet kanë nisur disa ditë para se të mbyllej tenderi dhe shpallej fituesi. 

Nga SYRI TV

Vijon abuzimi me fondet gjatë fushatave zgjedhore për asfalt elektoral. Rasti më i fundit është denoncuar nga deputeti Belind Këlliçi njëherësh edhe kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës. Me anë të një videoje, Këlliçi tregon se si punonjësit e bashkisë kanë shkuar në rrugën  "Xhon Belushi" në Fresk dhe kanë nisur punimet për asfaltimin e saj.

SYRI TV shkoi në këtë rrugë për të parë nga afër punimet që po kryhen dhe çfarë parashikon projekti për rikonstruksionin e rrugës, e cila prej 30 vjetësh është në gjendje të mjerueshme. Ndonëse mbrëmjen e së enjtes punonjësit e bashkisë nisën punën me asfaltimin, duket se në mëngjes, puna ishte ndalur sërish.

Por ndryshe nga sa parashikon një projekt i rregullt, në terren nuk kishte një tabelë që sinjalizonte projektin, nisjen e punimeve apo afatin se kur përfundojnë këto punime e për më tepër duket qartë mungesa e standardeve, pasi po bëhet veç asfaltim pa njoftuar nëse janë kryer punimet për sistemin e kanalizimeve apo kullimit. Vetë banorët shprehen se kjo rrugë ka 30 vjet në këtë gjendje e ndërhyrjet bëhen vetëm për vota.

Por duket se këto punime mbulohen edhe nga një skandal më i madh. Deputeti Belind Këlliçi denoncoi se tenderi për këtë projekt ende nuk është shpallur.

“Punimet kanë nisur ndërsa tenderi që shpall fituesin përfundon më 9 janar, ora 10:00. Para që hidhen rrugëve. Asnjë tabelë që njofton afatet e punimeve, kush paguan, sa kushton dhe cila firmë po ndërton rrugën. Një përdorim barbar i shtetit për zhurmë elektorale. 1 herë në 4 vjet punon bashkia dhe atëherë për të na hedhur hi syve. Do ta kallëzoj në SPAK.”

Nga një kqyrje e faqes së prokurimeve publike, rezulton se tenderi me vlerë 47 milionë lekë është çelur më datë 19 dhjetor dhe fituesi i tij do të shpallej në datë 9 janar. Tashmë u mbetet institucioneve të drejtësisë që të sqarojnë nëse fituesi është paracaktuar ende pa u zhvilluar tenderi dhe pse ky nxitim nga ana e bashkisë së Tiranës, për të nisur punimet.