Përplasja LIVE/ Haxhiu-Peka, debate dhe akuza për tradhti ndaj Kosovës
Një debat i ashpër ka shpërthyer në emisionin “Çim Peka Live” midis drejtuesit të emisionit, analistit Çim Peka dhe publicistit nga Kosova, Baton Haxhiu lidhur me vënien në diskutim të kufijve të Kosovës me Serbinë mbi një dekadë pas shpalljes së pavarësisë së saj. Të ftuar në diskutim ishin edhe Armand Shkullaku, Alban Dudushi dhe Alfred Lela, por për çështjen e kufijve, tensioni u rrit në veçanti ndërmjet Pekës dhe Haxhiut.
Çim Peka (në vazhdim): ...E si e shpëton pavarësinë e Kosovës, duke falur Veriun?!
Baton Haxhiu: Jo, nuk thashë duke falur Veriun. Nuk thashë!
Çim Peka: Ah, dakord! Nuk dua ta kthej…
Baton Haxhiu: Jo jo, se të ka mbetur kjo e Veriut.
Çim Peka: Po ju e thatë!
Baton Haxhiu: Çim! Se ta thashë edhe para se të hyja në emision dhe po ta them edhe tani, se duhet me qenë i kujdesshëm...
Çim Peka: Thuaje, thuaje.
Baton Haxhiu: Nëse ka një narracion që e ka shkatërruar idenë e Pavarësisë, jo e ka shkatërruar – e ka lënduar shumë, është narracioni publik që e kanë pasur liderët për korrigjimin e kufijve. E para, e kanë devijuar të vërtetën e saj, për arsye se siç ka pasur për t’u korrigjuar kufiri në Veri, ka pasur edhe në Serbi, sepse Presheva dhe Bujanovci kanë pas me dalë këndej, sikur të themi se Serbia ka dashur me nda, territori i Serbisë ka dashur me u nda dhe fakti që ka qenë një e pavërtetë në narracion, janë shkaktuar këto probleme. Dhe për ata që e kanë ditur cila është problematika, ne e kemi ditur fundin. Unë personalisht e kam ditur fundin nga vjen dhe e kam ditur se është shumë vështirë me mbrojt diçka që ta kanë dhënë dhuratë ndërkombëtarët, po me luftën tënde, por pa ata s’ishte bërë.
Çim Peka: Edhe ne e kemi ditur fundin. Ditën që janë vendosur njëherë kufijtë në tryezë e kemi ditur që ata nuk hiqen më nga ajo tryezë dhe në atë tryezë, kufijtë nuk i kemi vendosur as unë, as Shkullaku, as Lela, askush tjetër. I dilni ju për zot që i keni vendosur.
Baton Haxhiu: Jooo joooo. Për dallim prej teje, unë… Për dallim prej teje….
Çim Peka:... Ditën që keni vendosur njëherë kufijtë në tryezë, ato nuk hiqeshin më dhe ata që kanë vendosur kufijtë e Kosovës në tryezë, kanë bërë tradhtinë më të madhe ndaj pavarësisë sepse jeni njohur nga 100 shtete me ata kufij, Baton! Dhe kur shkon pastaj shteti i Kosovës, këta kufij i vendos në tryezë, nuk kemi çfarë të bëjmë më!
Baton Haxhiu: Pse po bëhesh patriot i panevojshëm, mor burrë?! Po nuk është kjo, mor!
Çim Peka: S’është patriotizëm, është realizëm o Baton! Të kanë njohur 100 shtete me këta kufij!
Baton Haxhiu: Edhe?!
Çim Peka:Dhe ti kujtohesh pas 10 vjetësh dhe këtyre 100 shteteve ua vendos këta kufijtë mbi tryezë, o Baton! Ky është dëmi më i madh që i bëhet pavarësisë.
Ndiqeni vazhdimin e debatit Peka-Haxhiu në videon e SYRI TV.