Xhixho: 'Pakoja e Madhe' e Ramës një lëmoshë, por koha e llogaridhënies po vjen

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, përmes një statusi në rrjetet sociale, reagoi mbi atë çfarë kryeministri e quajti 'Pako e Madhe'.

Xhixho u shpreh se ajo pako nuk është asgjë veçse një lëmoshë, në pragun e vitit elektoral.

Teksa argumentoi me shifra qëndrimin e saj , Xhixho e mbylli këtë status nën thirrjen: 'Koha e llogaridhënies po vjen'!

Statusi i plotë i Erisa Xhixhos:

Ajo që kryeministri Rama e quan “pako e madhe”, nuk është gjë tjetër veçse lëmosha e radhës, në prag të një viti elektoral.

Mjafton një krahasim i thjeshtë shifrash:
? “Pakoja e madhe” prej 8 miliardë lekësh është sa 1/5 e paketës së dytë të rezistencës sociale (43.1 miliardë lekë)

? 67% e shqiptarëve jetojnë sot me të ardhura nën dhe deri në 5.5 dollarë në ditë. 8 miliardë lekë për 1 milion shqiptarë, vetëm njëherë në vit, janë praktikisht thërrime. Shqiptarët e varfër do të mbeten njësoj të varfër.

?Përgjatë këtij viti, qeveria ka mbledhur përmes taksave 500 milionë euro më shumë, si pasojë e rritjes së çmimeve. “Pakoja e madhe” është sërish thërrime në krahasim me taksat që kanë paguar shqiptarët përgjatë një viti. Qeveria “Rama” kishte detyrimin t’u kthente mbrapsht qytetarëve të paktën gjysmën e taksave për t’i ndihmuar në këtë situatë të vështirë.

?Ndërkohë që për pagesat e inceneratorëve dhe koncensioneve kjo qeveri për 2023-shin parashikon 950 milionë euro.

?Qeveritë e përgjegjshme kudo në botë reaguan menjëherë në ndihmë të qytetarëve për të përballuar koston e lartë të jetesës.

Qeveria e inceneratorëve vendosi ta bëjë përsëri në mënyrë të pamjaftueshme dhe për qëllime tërësisht elektorale, çka tregon në fakt, edhe një here, se kjo është qeveria e disave dhe jo e shumicës.

Koha e llogaridhënies po vjen!