SYRI TV/ Vijon protesta në fasonerinë e Bilishtit, punonjëset kërkojnë kushte më të mira pune

Mungesa e kushteve dhe pushimi nga puna i kryetares së sindikatës ka ngritur në protestë 150 punonjës të një fasonerie në qytetin e Bilishtit. Punonjëset shprehen se nuk do të kthehen në punë nëse nuk iu plotësohen kërkesat dhe nëse nuk kthehet në detyrë kryesindikalistja e tyre. Inspektorati i Punës ka marrë një masë administrative ndaj subjektit privat për pengimin e protestës, ndërsa masat për shkelje e tjera do të merren më datën 10 janar.

Nga SYRI TV

Punonjëset e një fasonerie në Bilisht janë ngritur sërish në protestë për shkak të pushimi nga puna të kryetares së sindikatës së pavarur të kësaj fasonerie, e cila sipas punonjëseve ka kërkuar të drejtat e tyre të munguara. Një pjesë e punonjëseve kanë bërë me dije se nuk u paguhen sigurimet shoqërore, ndërkohë që kushtet e punës nuk janë aspak të përshtatshme.

Kryetarja e sindikatës së kësaj fasonerie Mira Mullai, ka pranuar se pushimi i saj ka ardhur për shkak të kërkesave të vazhdueshme që ka bërë në mbështetje të kërkesave të punonjëseve.

Për pushimin nga puna të kryetares së sindikatës ka pasur një reagim nga ana e Inspektoratit të Punës në Korçë. Eglivel Laloshi, shef i sektorit të Drejtorisë Rajonale të Inspektoriatit të Punës është shprehur se ka një masë administrative ndaj subjektit, për shkak të pengimit të së drejtës sindikale për protestë.

Përveç masës administrative, Inspektorati i Punës do të vijojë kontrollet deri më datën 10 janar në fasonerinë ku punonjësit janë ngritur në protestë. Pas kontrolleve të ushtruara do të ketë edhe një vendim zyrtar për masat e tjera që mund të merren ndaj këtij subjekti privat në qytetin e Bilishtit.