SYRI TV/ Hetimet për vrasjen e Edmond Papës, provat rrëzojnë alibinë e Albano Velos
Për vrasjen e Edmond Papës, Prokuroria po heton edhe efektivin e komisariatit nr. 4, Dilaver Velon. Prokurorët kanë ngritur dyshime se Velo mund të ketë ndihmuar të birin dhe autorin për largim jashtë vendit, ndërsa vet efektivi deri më tani nuk ka deklaruar asnjë detaj që mund të çojë në zbardhjen e ngjarjes apo zbulimin e porositësit.
Nga SYRI TV
Babai i Albano Velos, njërit prej autorëve të dyshuar të vrasjes së Edmond Papës, po hetohet nga Prokuroria e Tiranës e cila po kryen edhe verifikime ndaj tij. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se efektivi i komisariatit nr.4 në kryeqytet, Dilaver Velo, i pezulluar nga radhët e bluve së fundmi, deri në këtë fazë të hetimit nuk ka dhënë asgjë të dobishme që do të ndihmonte në zbardhjen e ngjarjes dhe përfshirjen e të birit, Albanos.
Prokuroria po heton nëse Dilaver Velo ka pasur dijeni për aktivitetin e të birit apo jo dhe nëse i ka lehtësuar kushtet për t’u larguar nga vendi pas vrasjes duke përdorur funksionin që kishte në radhët e policisë.
Paralelisht ndaj tij kanë vijuar hetimet edhe nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore. Gjithashtu akuza do të kryejë hetim të thelluar edhe për burimin e të ardhurave të familjes Velo, ku 30-vjeçari Albano Velo, i dyshuar si organizatori i ekzekutimit të Papës, shihet në rrjete sociale duke ekspozuar jetesën e shtrenjtë.
I riu ka mohuar deri më tani akuzat përballë hetuesve si dhe togave të zeza të Tiranës të cilat i caktuan masën e sigurimit arrest me burg.
Velo ka deklaruar se kishte ardhur në Shqipëri dy ditë përpara atentatit, pasi ka qenë në Itali.
Sipas sistemit TIMS Albano Velo ka dalë nga vendi ynë më datë 10 dhjetor, ku ka shkuar në Firence duke qëndruar vetëm 4 ditë.
Alibia e të riut rrëzohet nga kamerat e sigurisë, sipas hetuesve, të cilat e kanë fiksuar pranë vendit të ngjarjes dhe përveç tyre janë zbërthyer edhe qelizat telefonike të cilat e zbulojnë se në kohën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë për një kohë të gjatë në zonën e Selitës në Tiranë.
Për ngjarjen, përveç arrestimit të Velos, është shpallur në kërkim Andreë (Ervin) Bode, për të cilin ka dyshime se është larguar ilegalisht nga territori shqiptar.
Nuk përjashtohet pista që dy emrat e mësipërm i pari si ndihmës dhe i dyti si ekzekutuesi i dyshuar, lidhje e afërt e Aleksandër Sadikajt të ekzekutuar me tritol në Tiranë, ta kenë kryer krimin në bashkëpunim për llogari të një të treti.
Deri në këtë fazë të hetimit ende nuk ka prova mbi këtë pistë, ndërsa vijon grumbullimi i materialeve hetimore, dëshmive, zbardhjes së tabulateve telefonike etj, për zbardhjen e plotë të ngjarjes