Policia kolumbiane kërkon ndihmë për kapjen e kriminelëve në kërkim, pa fotot dhe pa emrat

Policia në Santa Marta në Kolumbi, kohët e fundit u kritikua për publikimin e një shpalljeje të kriminelëve në kërkim, anëtarëve të një karteli, pa fotografitë e tyre dhe pa emrat e vërtetë.

Më 2 janar, departamenti i policisë në Santa Marta publikoi posterin për 12 prej kriminelëve më të kërkuar në qytetin kolumbian, duke kërkuar ndihmë nga publiku i gjerë për kapjen e kriminelëve të dyshuar, të cilët ishin të gjithë anëtarë të kartelit të drogës "Los Pachenca". 

Të 12 personat ishin gjithashtu të dyshuar për një sërë aktesh kriminale të kryera në Santa Marta muajt e fundit, ndaj kishte kuptim që të kërkohej ndihmë nga vendasit për kapjen e tyre sa më shpejt. 

Problemi i vetëm ishte se posteri i publikuar përmendte vetëm nofkat e të dyshuarve, në vend të emrave të tyre aktualë dhe po ashtu, nuk kishte as fotografitë e tyre.

"Si fillim, të gjithë duken identikë," u tall një person me posterin në Twitter.

"Unë po kuptoj se një kontratë shumëmilionëshe po vjen për kurset e identifikimit të siluetave në Polici", ironizoi një tjetër.

Departamenti i policisë së Santa Martës e hoqi posterin e të kërkuave menjëherë pasi mesazhet e para që talleshin me të filluan të bëhen virale, por deri në atë moment, dëmi ishte bërë.