Rrahmani drejt rinovimit me Napolin, sa pritet të përfitojë mbrojtësi nga kontrata e re

E ardhmja e Amir Rrahmanit do të jetë te Napoli. Paraqitjet e tij të mira nën drejtimin e Luciano Spallettit duket se kanë bindur drejtuesit e klubit që t’i besojnë Rrahmanit të ardhmen e mbrojtjes së skuadrës.

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës pritet të rinovojë kontratën me kryesuesit e Serie A deri në vitin 2027. Në stadium në sfidën Inter-Napoli ndodhet edhe agjenti i mbrojtësit, Ardian Aliaj i cili do të takohet me drejtuesit e kaltër për të diskutuar detajet e fundit të marrëveshjes.

Sa i përket pagës së lojtarit, Rrahmani pritet të përfitojë nga kontrata e re rreth 2.6 milionë euro. Kontrata aktuale e mbrojtësit të Kosovës skadon në qershor të viti 2024. Rrahmani është kthyer në një lojtar kyç të mbrojtjes së Napolit dhe prej kohësh është një titullar i padiskutuar.