VIDEO/ Mijëra besimtarë i bëjnë nderimet e fundit, Papa Benediktit XVI në Bazilikën e Shën Pjetrit
Më 2 janar 2023, pas një riti privat, trupi i Papës së nderit u mbart nga Manastiri Mater Ecclesiae, në Bazilikën e Vatikanit dhe u vendos në Altarin e Dëshmisë. Do të qëndrojë aty për tri ditë, deri në varrim, ku priten rreth 50-60 mijë vetësh. Ndërkohë, mijëra besimtarë vijojnë të rreshtohen për t'i bërë nderimet e fundit Joseph Ratzinger. I pari, presidenti italian Sergio Mattarella, i ndjekur nga kryeministrja Meloni, njfton Vatikani.
I pari që hyri, në orën 8.50, në Bazilikën e Vatikanit, ende të mbyllur për publikun dhe me drita të tensionit të ulët, ishte Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella. Së bashku me të, e bija, Laura.
Ata u ndalën për disa çaste në anën e djathtë, me duar të bashkuara, për t'u lutur dhe për të bërë homazhe për Papën e Nderit Benedikti XVI, trupi i të cilit ekspozohet nga sot, deri më 4 janar, për nderimin e besimtarëve në Altarin e Dëshmisë, pikërisht si në kohën e funeralit të Gjon Palit II. M
enjëherë pas Mattarellës, mbërritën kryeministrja Giorgia Meloni, Alfredo Mantovano, nënsekretari i Kryeministrit dhe ministri i Bujqësisë Francesco Lollobrigida. Pas shenjës së kryqit dhe një gjunjëzimi të shkurtër, edhe ata u ulën në një nga katër stolat anësorë.
Në anën tjetër ishin kardinali Michael Harvey, kryeprifti i Shën Palit jashtë Mureve dhe disa murgesha, që thoshin me zë të ulët Rruzaren. Në mes të të pranishmëve, Kardinali Mauro Gambetti, kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit. Në mëngjes, kardinali kryesoi ritin, i cili zgjati nga ora 7.15 deri në orën 7.40, pas mbartjes së trupit të Papës së Nderit nga Mater Ecclesiae, manastiri i rrethuar me gjelbërim në Kopshtet e Vatikanit, të cilin Joseph Ratzinger e kishte zgjedhur si shtëpinë e tij, pasi hoqi dorë nga papnia, në vitin 2013.
Riti i kryesuar nga Gambetti
Në kapelën, ku trupi i Benediktit pushoi gjithë ditën dje, i vendosur pranë një kryqi të madh, një skene të lindjes së Krishtit dhe një peme Krishtlindjesh, Gänswein, Memores Domini që e ndihmuan Papën Ratzinger çdo ditë gjatë viteve, ish-asistentët e dhomës dhe një grup i vogël i Mater Ecclesiae thanë një lutje të shkurtër, përpara se trupi i Papës së Nderit të mbartej në Bazilikë.
Një rrugëtim i shkurtër përgjatë një rruge me kthesa dhe pemë, e cila gjatë gjithë ditës së djeshme, duke filluar nga vizitat e para private të ipeshkvijve dhe kardinajve, u pushtua nga qindra njerëz, që nuk donin të prisnin hapjen e sotme të Bazilikës, ndaj shkuan për t’i dhënë një përshëndetje të shkurtër Papës së Nderit. Pushtim, që zgjati deri në orët e vona të pasdites.
Radhë të gjata në Shën Pjetër
Shumë prej tyre u kthyen në Sheshin e Shën Pjetrit në mëngjes, duke pritur në një radhë të dyfishtë që nga orët e para, të mbështjellë me pallto e me shalle. Vlerësimet e para flasin për 15,000 njerëz. Nga 30 deri në 35 mijë njerëz priten në tri ditët e ekspozimit të trupit të Papës, nga 2 deri më 4 janar në mbrëmje (sot nga 9 deri në 19, nesër dhe pasnesër nga ora 7 deri në 19). Prefekti i Romës, Bruno Frattasi beson se më 5 janar, ditën e varrimit, kryesuar nga Papa Françesku, pritet një fluks prej rreth 50-60 mijë njerëzish.
Përshëndetje dhe lutje
Ndërkohë, sapo u hap dera e Bazilikës, grupi i parë hyri me shpejtësi pothuajse me vrap, përgjatë navatës të Bazilikës së Vatikanit për të mbërritur në qendër të Shën Pjetrit, ku është vendosur trupi i Ratzinger, mbi katafalkun e mbuluar me kadife ngjyrë okër, veshur me petka liturgjike të kuqe, mitër të bardhë, këpucë, por pa palium, as kryq baritor. Në duar, gërshetuar një Rruzare. Ka nga ata që bëjnë shenjën e kryqit në gjunjë, nga ata që përpiqen të “rrëmbejnë” një foto me smartphone ose thjesht ndalojnë një copë herë, për ta “fotografuar” në kujtesë këtë pamje të rrallë e tronditëse. Shumë njerëz ndalojnë në kapelat anësore për të thënë Rruzaren ose presin që të hapet udha për Meshën e mëngjesit në Altarin e Katedrës.
Ngushëllime "Don Georgit"
Pastaj është koha për të kaluar pranë sekretarit personal, Imzot George Gänswein, dhe për t'i shprehur ngushëllimet tona. Prej ditës së djeshme “Don Georg”, siç njihet për publikun e gjerë, nuk pushon së shtrënguari duar: duar ministrash, senatorësh, ipeshkvijsh dhe ish-studentësh të Papës Ratzinger. Grupe zonjash, pastaj, si disa meksikane që sot në mëngjes pohuan se ishin lutur gjatë gjithë kohës për shëndetin e Papës së Nderit dhe se po i kërkojnë një bekim simbolik.
Në Bazilikë është edhe Carmela, një kalabreze, 76 vjeçe: ajo ecën me vështirësi për shkak të një rrëzimi, dy vjet më parë, dhe një operacioni në femur. Dje ishte në Mater Ecclesiae, sot sërish në Shën Pjetër. Të dyja herët, u gjunjëzua pa sforcimin më të vogël: “Është hera e parë që përkul këmbën – pohon - ia kam borxh Benediktit. E kam ndjekur kudo vitet e fundit, nga Kalabria në Romë. Tani është paksa flijim, por nuk mund të mungoja”.
Do të duhej shumë kohë për të hyrë në shpirtin e njerëzve që vijojnë të pëshpërisin uratë, ndërsa i afrohen Njeriut të madh të uratës, Benediktit XVI që duket sikur u flet të gjithëve, si të ishte i gjallë!, përfundon Vatikani.