Urimi hipokrit i Kim/ Berisha: Ky ishte viti kur u gropos totalisht drejtësia

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, postoi një mesazh me rastin e vitit të ri, ku binte në sy hipokrizia për reformën në drejtësi.

“Viti 2022 pati gjithashtu rezultate të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërisë. Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, ajo vazhdon të ecë përpara,” tha Kim.

Por një ditë më parë, kreu i opozitës, Sali Berisha tha se viti 2022 ishte viti i shkatërrimit përfundimtar të sistemit të drejtësisë

“Viti që lamë pas është viti i shkatërrimit përfundimtar të sistemit të drejtësisë. Reforma e Sorosit përfundoi sipas sondazheve të pavarura në institucionin më të pabesueshëm se çdo institucion i këtij vendi. Ai që ishte parashikuar të ishte institucioni i akuzës për zyrtarët e lartë, i quajtur SPAK apo Prokurori e Posaçme, u transformua në SKAP-in e partisë.

Tre muaj më parë, në një poll krejtësisht të pavarur, dilte vetëm se 10.4 përqind e shqiptarëve besonin se SKAP-i i partisë është i pavarur politikisht, përkundrejt 59.6 përqind që e quanin tërësisht të varur nga partia. Pas betejës së fundit, Rama-guvernatorja Kim, edhe ky 10-përqindësh mendoj se merr fund. Kështu që sot nuk ka shqiptar se beson më ndryshe, veçse e sheh SKAP-in si një institucion, seksion të partisë së krimit,” tha Berisha.

Ai e akuzoi Kim edhe për përpjekje të paligjshme kundër opozitës shqiptare.

“Në këtë përpjekje, do të nxijë në historinë e turpit, qëndrimi i ambasadores së SHBA, e cila, pasi në një akt madhor korruptiv, kishte mashtruar qeverinë e saj për korrupsionin imagjinar të Sali Berishës, bëri gjithçka që t’i diktojë opozitës, kryetarin e saj. Përdori, abuzoi dhe shpërdoroi, duke shkelur çdo ligj të këtij vendi dhe vendit të vet, çdo konventë ndërkombëtare, çdo parim. Përdori fuqinë e vendit të saj, për t’i diktuar opozitën kryetarin. Por ky është viti i opozitës, sepse asgjë nuk mposhti dot idealet e demokratëve. Ata u ngritën fuqishëm kundër armikut të egër të votës së lirë, armikut të egër të PD-së, u ngritën kundër atyre që përdorën korrupsionin për të luftuar antikorrupsionin në Shqipëri, që përdorën krimin e organizuar për të luftuar antikrimin në Shqipëri. Pavarësisht se ata përfaqësonin shtetet më të admiruara nga shqiptarët, SHBA dhe Britaninë. Opozitarët shqiptarë qëndruan dhe këtë vit u faktuan kombit dhe botës se Shqipëria ka një opozitë më të fuqishme se kurrë, më të vërtetë se kurrë.

Ky ishte një vit i ngarkuar. Po kështu ky ishte viti i 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane. Nuk kishte kremtim më të padenjë se ai që organizoi guvernatorja Kim për 100-vjetorin. Ajo për një vit me radhë mbajti flamurin e cancel kulture. Falsifikoi në mënyrën më të paskrupullt 100-vjetorin e marrëdhënieve të shqiptarëve me vendin që ata adhurojnë më shumë. Arriti deri aty sa barazoi veten me Lindita Nikollën në vështrimin e saj të historisë. Nxorën figura të inkriminuara këmbë e krye si Taulant Balla si kremtues. U përpoq të manipulonte me çdo mënyrë vizitat e ish-personaliteteve, por që dështoi. Së fundmi, porositi një dokumentar të tipit socialist, të realizimit socialist, ku marrëdhëniet mes dy vendeve ndërpriteshin në vitin 1991. E kuptoni vetë. Ata që bëjnë betejë me historinë, e kanë një vend në histori,” tha Berisha.