VIDEO-SYRI TV/ Zjarret dhe zjarrvëniet: Situatë alarmante në vend
Aksidentale dhe të qëllimshme, në Elbasan dhe Vlorë, ditët e fundit të vitit po mbyllen mes flakëve që djegin makina e biznese. 2 automjete luksoze janë shkrumbuar në një magazinë në Elbasan, dhe dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Në Vlorë, në harkun e 24 orëve, arrin në 5 numri i mjeteve të djegura, shumica qëllimisht, ndërsa edhe një dyqan rrobash u shkrumbua të premten
SYRI TV
Persona të paidentifikuar i kanë vënë flakën një magazine në Elbasan, ku për pasojë janë shkrumbuar 2 automjete luksoze. Ngjarja është regjistruar gjatë natës së kaluar në fshatin Kutund i Ri në Elbasan.
Në magazinën në pronësi të shtetasit I. H. 26-vjeç, mbaheshin automjetet për shitje relativisht të shtrenjta. Ajo ishte e mbikëqyrur nga një shoqëri e ruajtjes dhe sigurisë fizike me kamera dhe me sistem alarmi, të cilin autorët dyshohet se e kishin çaktivizuar para se t’i vinin zjarrin objektit.
Ndërkaq shërbimi zjarrfikës ka ndërhyrë për shuarjen e flakëve. Policia ka dokumentuar ngjarjen si dhe ka marrë pamje të kamerave të bizneseve të zonës ku dyshohet se kanë qarkulluar autorët e zjarrvënies.
Por përveç Elbasanit, lufta me flakët duket se nuk po gjen qetësi edhe në Vlorë. Fundi i vitit po mbyllet mes flakëve të makinave dhe bizneseve që digjen, disa prej tyre të qëllimshme, teksa një tjetër automjet ka shpërthyer në flakë në mbrëmje pranë zonës së Lungomares, duke e çuar në pesë numrin e tyre brenda dy netëve të fundit.
Mjeti në pronësi të shtetasit A. H., që ndodhej i parkuar në lagjen “Pavarësia 2” është djegur pjesërisht, pasi ka mbërritur me shpejtësi zjarrfikësja. Policia njoftoi se dyshohet për defekt teknik. Rreth 24 orë para kësaj ngjarje, në të njëjtin qytet, forcave zjarrfikëse, policisë dhe grupit hetimor, iu deshën të zbardhin 2 zjarrvënie të qëllimshme njëra pas tjetrës. Në orët e para të mëngjesit të 30 dhjetorit, autoritetet u njoftuan për një zjarr në një dyqan shumice me rroba në lagjen “Hajro Çakërri”. Dyqani në pronësi të Faraudin Veizajt, thuajse u shkrumbua totalisht, por fatmirësisht nuk pati asnjë të lënduar. Por autori nuk u mjaftua me kaq. 39-vjeçari Qerim Mara, të cilin autoritetet e identifikuan dhe e shpallën në kërkim, tentoi të djegë duke i shkaktuar dëme të vogla, makinën e parkuar në shtëpinë e Faraudin Veizajt në lagjen e “Ujit të Ftohtë”.
Nuk kaloi shumë dhe rreth orës 02.00 të mëngjesit, grupit hetimor iu desh të zbardhë një tjetër zjarrvënie të qëllimtë. Në lagjen “24 Maji”, në rrugën Transballkanike, tre makinave të parkuara në pronësi të dy ortakëve në biznes dhe një personi të tretë iu vu zjarri duke u shkrumbuar totalisht.
Dy furgonat pranë njëri-tjetrit ishin në pronësi të Zamir Kormuzit dhe Dino Sadikajt, ortak në një pikë grumbullimi hekurash, ndërsa autovetura Fiat Punto është në pronësi të Hysni Ibrahimajt. Zamir Kormuzi rezulton me precedent penal të mëparshëm. Bashkëshortja e tij, Rozina, është anëtare në Këshillin Bashkiak të Vlorës.