Pranë Zotit

BILD

Trishtim i madh për Papën tonë!

Benedikti XVI është tani pranë Zotit. Ai vdiq në moshën 95-vjeçare. Në natën e Vitit të Ri, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, njoftoi: “Me dhimbje të madhe më duhet të njoftoj se Benedikti XVI, Papa Emeritus, vdiq në orën 9:34 të mëngjesit të sotëm në manastirin ‘Mater Ecclesiae’ në Vatikan’”.

Gjendja shëndetësore e bavarezit ishte përkeqësuar ndjeshëm së fundmi.

Jozef Ratzinger u zgjodh Papë më 19 prill 2005, duke pasuar Gjon Palin II. Benedikti ishte Papa i parë gjerman në rreth 480 vjet. Pothuajse tetë vjet më vonë, ai dha dorëheqjen vullnetarisht në një hap spektakolar- si Papa e parë që e bënte këtë për më shumë se 600 vite. Ai e justifikoi hapin me moshën e tij të shtyrë dhe shëndetin e dobbët- i mungonte forca për këtë detyrë kërkuese, tha ai në atë kohë. Gjatë papatit të pasuesit të tij, Françeskut, Benedikti jetoi i izoluar në një manastir në Kopshtet e Vatikanit.

Gjatë papatit të tij, Benedikti vazhdoi kursin konservator të paraardhësit të tij. Ai i rezistoi modernizimit të kishës, gjë që solli shumë kritika. Entuziazmi fillestar i gjermanëve u zbeh. Mandati i tij u eklipsua nga skandalet e abuzimit seksual që e zhytën Kishën Katolike në një krizë të thellë.

Benedikti i dha formë Kishës Katolike shumë kohë përpara se të fillonte pontifikatin e tij. Si Prefekt i Kongregacionit për Doktrinën e Besimit në Romë, kardinali Ratzinger, i lindur më 16 prill 1927 në Bavarinë e Sipërme, kishte shkruar tashmë historinë e kishës për më shumë se 20 vjet. Besimtarë të shumtë, veçanërisht në Europë, hodhën poshtë qëndrimin e tij të rreptë për çështje të tilla si aborti, kontrolli i lindjeve apo beqaria. Megjithatë, në pjesë të tjera të kishës botërore katolike, linja konservatore gjeti mbështetje.

Në vitin 2022, trajtimi i rasteve të abuzimit seksual gjatë kohës kur ai ishte kryepeshkop në Mynih, ishte gjithashtu ndër kryetitujt e medieve. Një raport për abuzimet seksuale, i porositur nga autoritetet kishtare në Mynih, e akuzonte atë për shkelje në të paktën katër raste. Pak më vonë, Benedikti përmes një letre publike u kërkoi falje të gjithë viktimave të abuzimit seksual.

Më herët, Papa në pension ishte në qetësi. Megjithëse ishte i aftë mendërisht në pleqëri, siç theksonte vazhdimisht sekretari i tij privat Georg Gaenswein, gjendja e tij fizike ishte e rëndë. Edhe pse ai donte të mbetej larg syve të botës, shkrimet e tij mbi tema të ndjeshme si beqaria apo abuzimi seksual nxitën vazhdimisht spekulimet se ai ndoshta nuk ishte dakord me kursin e pasuesit të tij, Françesku, të paktën pjesërisht.

Benedikti nuk ishte shfaqur në publik kohët e fundit. Ai festoi 90-vjetorin e lindjes në vitin 2017 me një delegacion nga vendlindja tij, Bavaria. Më pas, priti vetëm vizita të rëndësishme në manastirin ‘Mater Ecclasiae’. Vitet e fundit ai ishte kthyer në një vend pelegrinazhi, sipas fjalëve të tij.