Teliti: 2022-shi viti më i vështirë ekonomik! Varfëria rritet, borxhet shtohen! Shkak, keqqeverisja

Eksperti i ekonomisë në PD, Dorian Teliti, deklaroi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv se viti 2022 ishte viti më i vështirë ekonomik për shqiptarët. Teliti theksoi se ekonomia ka vuajtur gjatë këtyre viteve, duke përmendur tërmetin, pandeminë dhe luftën në Ukrainë, ndërsa shtoi se problemi ka qëndruar tek keqqeverisja.

"A ndërmori qeveria këto vite politika afatgja për t'i bërë ballë krizave? Fatkeqësisht jo. Kanë bërë diskurs që do bëjmë politika, po s'kanë bërë asgjë. A morën masa afatshkurtra? Sa kanë qenë? Në çfarë përmase ishin?

Masat, paketat sociale për shtresat në nevojë ishin minimaliste, afërisht jo më shumë se 100 mln euro, ishin për periudhë të kufizuar kohore. Rritja e çmimeve rriti koston e jetesës."-tha Teliti.

Eksperti tha se Shqipëria është  e fundit në rajon për paketat më të ulëta mbështetëse ndërsa shtoi se konsumatorët blejnë më pak sot. Teliti deklaroi se varfëria po rritet dhe lista e borxheve të shqiptarëve po shtohet.

“Jetoj në Tiranën e Re, listat ushqimore janë rritur ndjeshëm. Në vend që ky fenomen të minimizohet, fakti është që gjatë muajit dhjetor 2022 listat po rriten më shumë se vitin e kaluar, varfëria po rritet.”-tha Teliti.