Presidenti i Kinës Xi Jinping do të bëjë një vizitë shtetërore në Rusi në pranverë

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të premten se priste që presidenti kinez, Xi Jinping, të bënte një vizitë shtetërore në Rusi në pranverën e vitit 2023.

Në fjalën hyrëse të transmetuar nga televizioni rus, Putin e ftoi Xi-n të vizitojë Moskën pranverën e ardhshme. Ai shtoi se të dy vendet do të forcojnë bashkëpunimin midis forcave të tyre të armatosura dhe vuri në dukje rritjen e tregtisë pavarësisht "kushteve të pafavorshme të tregut", njofton CNN.

Marrëdhëniet dypalëshe janë “më të mirat në histori dhe u rezistojnë të gjitha sprovave”, tha ai. “Ne ndajmë të njëjtat pikëpamje për shkaqet, rrjedhën dhe logjikën e transformimit të vazhdueshëm të peizazhit gjeopolitik global.”

Moska dhe Pekini janë afruar më shumë në vitet e fundit, me Xi dhe Putin që deklaruan se të dy vendet kishin një partneritet "pa kufij" disa javë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën në shkurt.

Që atëherë, Kina ka refuzuar të dënojë agresionin, në vend të kësaj duke  hedhur në mënyrë të përsëritur fajin për konfliktin mbi NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara - dhe duke mbetur një nga mbështetësit kryesorë të mbetur të Rusisë, ndërsa ajo po bëhet gjithnjë e më e izoluar në skenën globale.

Por më shumë se 10 muaj pas luftës së rëndë, bota duket shumë më ndryshe – dhe dinamika mes të dy partnerëve ka ndryshuar në përputhje me rrethanat, thonë ekspertët.