Italia urdhëron testim të detyrueshëm për Covid-19 për udhëtarët që vijnë nga Kina

Milano - Italia ka urdhëruar të bëhen tamponët e antigjenit COVID-19 dhe sekuenca e virusit për të gjithë udhëtarët që vijnë nga Kina, ku rastet janë në rritje, tha të mërkurën Ministri i Shëndetësisë.

Italia, e cila ishte kombi i parë në Evropë që u godit rëndë nga koronavirusi në shkurt të vitit 2020 pasi ai u shfaq në Kinë, tani është i pari shtet që vendos teste të detyrueshme për njerëzit që vijnë nga vendi aziatik që po përballet me një valë të re.

Aeroporti kryesor i Milanos, Malpensa, e ka filluar tashmë testimin e pasagjerëve që vijnë nga Pekini dhe Shangai që më 26 dhjetor dhe rezultatet treguan se pothuajse një në dy pasagjerë ishte i infektuar.

“Masa është thelbësore për të siguruar mbikëqyrjen dhe zbulimin e varianteve të mundshme të virusit për të mbrojtur popullsinë italiane”, tha ministri Orazio Schillaci, duke njoftuar testimin e detyrueshëm për të gjithë pasagjerët.

Ministri nuk tha se çfarë masash do të vendoseshin për udhëtarët që do të testoheshin pozitivë, por shefat lokalë të shëndetësisë në rajonin e Lombardisë rreth Milanos dhe rajonit Lazio rreth Romës thanë se do të duhej të karantinoheshin në ndërtesat e vendosura nga autoritetet lokale shëndetësore.