Barrikadat/ Rama barazon Kosovën me Serbinë dhe sulmon SHBA e BE
Edi Rama relativizon situatën në veri të Kosovës duke e quajtur 'çështje fjalësh që u shkëmbyen me ca më shumë zjarr' si dhe për kërcënimin e Beogradit për luftë, si 'manovrat ushtarake patën ca shumë hov'.
Në një reagim në Twitter, kryeministri shton se të gjithë u kthyen në shtëpi me fitoren e vet me vete si gjithmonë.
Për 20 ditë me radhë strukturat kriminale serbe paralizuan veriun e vendit, duke provokuar edhe një konflikt të gjerë, por Edi Rama i barazon si Kosovën ashtu edhe Serbinë duke thënë se të dy shtetet janë fajtorë. Edhe pse në fakt pala serbe ishte agresori dhe Kosova viktima.
Gjithashtu, Rama sulmon SHBA dhe BE se sipas tij, bekuan pas 434 vjetësh barrikadën si mjet proteste paqësore. Pavarësisht se barrikadat u hoqën me insistimin dhe presionin e palës ndërkombëtare.
Postimi
Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë! Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare! Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së rradhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes!