Vizat me Kinën, Zhulali: Vendimi i qeverisë, i çuditshëm! Po largohet çdo ditë nga BE! Ja çfarë rrezikojmë

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Ilda Zhulali, komentoi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv heqjen e vizve me Kinën. Ilda Zhulali tha se vendimi i qeverisë është i çuditshëm pasi Shqipëria ka marrë disa paralajmërime për rivendosjen e regjimit të vizave dhe që të përafrojë politikat me BE-në.

“Më 5 dhjetor, në raportin e fundit, Shqipëria kishte tre probleme kryesore që duhet t’i reflektonte me urgjencë. E para me binjakëzimin e politikës së vizave me BE.

Shqipëria duhet të ndjekë të njëjtën politikë vizash ndaj vendeve të treta që u duhet vizë për të hyrë në BE po ashtu dhe vizë për të hyrë në Shqipëri, përndryshe këto vende përbëjnë kontigjent rreziku për emigracionin e paligjshëm, ose sigurinë e Bashkimit Europian.

BE ka kërkuar Shqipërisë dhe vendeve të tjera që politika e vizave ndaj këtyre vendeve të jetë si e BE. Shqipëria ndryshe nga vendet e tjera, jo vetëm që nuk e ka përputhur këtë politikë por i është larguar më tej asaj."-tha Zhulali.

Ekspertja tha më tej se problem mbeten dhe pasaportat e arta. Sakaq, Zhulali deklaroi se këtë herë në raport paralajmërimi ka ardhur drejtpërdrejt nga Komisioni Europian.

“Në këtë raport ka një shënim shqetësues, thuhet se nëse Shqipëria nuk ndryshon qasje, rrezikon që t’i rivendoset regjimi i vizave. Problemi i ri është se nëse më përpara kemi patur kërkesë zyrtare nga Holanda paraqitur pranë Komisonit Europian për rivendosjen e vizave në Shqipëri, këtë herë ky paralajmërim vjen nga vetë Komisioni Europian. Kjo qeveri po largohet përditë e më shumë nga BE.”-tha Zhulali.