Gakpo zbulon se kush e bindi të zgjidhte Liverpoolin

Cody Gakpo mori oferta të shumta, por në fund zgjodhi Liverpoolin. Kapiteni i PSV-së i kushtoi 42 milionë euro klubit anglez. Në prononcimin për kanalin zyrtar të “The Reds”, 23-vjeçari zbuloi se kush e bindi të vijonte karrierën në Anfield.

“Unë dhe Van Dijk kemi biseduar shumë në telefon gjatë ditëve të fundit. Ai më tha se zgjedhja e Liverpoolit është lëvizja e duhur që të zhvillohem dhe të bëhem një lojtar më i mirë.

Klubi është madhështor, ne jemi si familje. Ky aspekt ka shumë rëndësi, pasi unë jam një tip familjar. Virgil më tregoi vetëm gjëra të bukura në lidhje me Liverpoolin”, u shpreh holandezi ofensiv.