SYRI TV/ Misteret e vdekjes së qytetares në Lushnje, bashkia dhe policia fshehën 24 orë ngjarjen
Kryebashkiakja e Lushnjes Eriselda Sefa, zgjodhi sulmin ndaj medias, për të justifikuar ngjarjen e rëndë që ka ndodhur brenda institucionit që ajo drejton.
Edhe pse kishte 24 orë që e mbante të fshehtë si ngjarje, Bashkia e Lushnjes dhe Eriselda Sefa zgjodhi të reagojë, vetëm pasi ngjarja u denoncua në media, e kryebashkiakja në vend të sqarimit të rrethanave sulmoi mediat që e zbardhën, duke i cilësuar raportimet si dezinformim.
Por ndërsa përpiqej të justifikonte vdekjen e 48 vjeçares së refuzuar në zyrat e bashkisë, kryebashkiakja Sefa ngriti edhe më shumë dyshime mbi rrethanat e vërtetësinë e të dhënave.
Sefa hedh posht se në zyrat e bashkisë ka pasur debat, madje tregon se Shpresa Cani është pritur prej saj në zyrë për ti ofruar zgjidhje të problemit. Por edhe nëse është e vërtëtë, anashkalohet fakti se cili ishte debate i zhvilluar në zyrën e Drejtoreshës së ndihmës Ekonomike, që më pas duhej zgjidhur në zyrën e krybashkiakes, pasi në një procedurë të zakonshme siç Sefa përpiqet ta sjell, e ndjera mund të kishte mbaruar punë me paraqitjen e saj në sportelin e bashkisë.
Edhe reagimi i mëtejshëm ngre sërish pikpyetje mbi sjelljen e Bashkisë së Lushnjes karshi Shpresa Canit teksa po ndërronte jetë. Eriselda Sefa thekson se ka njoftuar ambulancën dhe shefin e komisariatit Edvin Ndreu për këtë ngjarje.
E nëse do të kishim një vdekje për shkaqe natyrale, siç policia e serviri një ditë më pas, pse një zyrtareje të lartë do i shkonte mendja për të thirrur aty shefin e komisariatit, kur në çdo rrethanë të tillë procedura e parë për ti dhënë ndihmën është thirrja e ambulancës dhe më pas, roli i policisë është thejsht procedural.
Menjëherë është njoftuar ambulanca dhe shefi i Komisariatit Lushnjë, z.Edvin Ndreu. Ambulanca mbërriti brenda pak minutash në ambjentet e bashkisë duke transportuar pacienten drejt spitalit dhe pak çaste më vonë mbërritën edhe efektivet e Komisariatit Lushnjë.
Kontaktimi i drejtëpërdrejtë me shefin e komisariatit siç vetë Sefa deklaron, shton edhe më shumë pikpyetjet. Për të gjitha këto paqartësi, Syri Televizon ka tentuar disa herë të kontaktojë me kryebashkiaken Eriselda Sefa, por ajo ka refuzuar të përgjigjet.
Duket se lëvizjet e kryebashkiakes Sefa për këtë ngjarje kanë dhënë rezultat. Edhe Policia e Shtetit, e raportoi ngjarjen siç kishte raportuar bashkia, 24 orë me vonesë, e pasi mediat kishin nisur denoncimin dhe fshehjen e vdekjes.
Siç në ngjarje të ngjashme, policia nxitoi të përcaktonte shkakun, si vdekje natyrale, por pa dhënë rrethanat e saj. E në nxitim të rrëzimit të akuzës se nuk raportoi ngjarjen në kohë, policia as moshën e të ndjerës nuk e jep të sakt.
Teksa viktima ishte 48 vjeçe, Policia e Shtetit e deklaron si 60 vjeçe. Të gjitha këto ngrejnë pikëpyetje në lidhje me rrethanat e vërteta të ngjarjes, pasi fshehja e lajmit nga institucionet, reagimet me vonesë dhe të dhënat e pasakta, tregojnë dyshime të forta mbi atë që ka ndodhur në të vërtetë.
Këtë gjë e përforcon edhe fakti se Prokuroria e Lushnjes nuk pranoi t`i përgjigjet pytjeve të gazetarëve tanë, nëse ka nisur procedim penal për ngjarjen dhe nëse ka sekuestruar kamerat e sigurisë në Bashkinë e Lushnjes.
Janë pikërisht kamerat e sigurisë që do të zbardhin të vërtetën, e organi i akuzës nuk do të mjaftohet vetëm me pulën e zezë që Eriselda Sefa theri në ambientet e bashkisë pas ngjarjes, si bestytni për të larguar syrin e keq dhe problemet në këtë bashki, që duket se po e ndjekin muaj pas muaji.