SYRI TV/ Helmohen tre persona në Shkodër, reagon Ujësjellësi: Helmimi, nga ujë i ambalazhuar

Një grua 41 vjeçe, djali i saj 14 vjeç, si dhe kamarieri i një lokali, 30 vjeç, janë helmuar në qytetin e Shkodrës.

Dyshimet janë se këta tre shtetas janë helmuar nga uji i ambalazuar që përdorej në një bar-restorant në qytet.

Fillimisht kanë shfaqur probleme nëna dhe djali i saj, ndërsa më pas kamarieri, i cili ka provuar ujin që kishin konsumuar dy klientët që kanë pasur probleme me helmimin.

41-vjeçarja është dërguar për mjekim të specializuar në Tiranë, ndërsa dy të rinjtë janë në gjendje më të stabilizuar. Policia dhe Drejtoria Rajonale e AKU, ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa pritet që të zbardhen shkaqet që çuan në helmimin e tre personave në lokal.

Sonila Kruja, përfaqësuese e bar-restorantit, konfirmoi incidentin, ndërsa tha se i ka dhënë të gjitha provat në dispozicion organeve ligjzbatuese, për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes.

Për ngjarjen reagoi dhe Ujësjellës Kanalizime Shkodër, i cili sqaron qytetarët se uji që kanë përdorur personat e intoksikuar, ka qenë ujë i amballzhuar dhe jo ujë nga çezmat, që furnizohen nga rrjeti i ujësjellësit të qytetit. Sipas ujësjellësit të shkodrës, kjo është konfirmuar nga Prokuroria dhe AKU, të cilat kanë sekuestruar shishet e amballazhit të ujit që kanë konsumuar tre personat. Për ngjarjen janë analizuar dhe monstra të ujit të rrjetit ujësjellës dhe ujit të amballzhuar, të cilat kanë rezultuar të pranueshme për konsum.