SYRI TV/ PD në Elbasan denoncon tenderin 13 milionë lekë, Muzhaqi: Afera e radhës e bashkisë
Tenderi për rivitalizimin e rrethrrotullimeve në Elbasan është cilësuar nga dega lokale e Partisë Demokratike si afera e radhës korruptive e kësaj bashkie. Sekretari Organizativ i degës së PD-së, Ledian Muzhaqi, ka thënë se paratë e taksapaguesve po vijojnë të shpërdorohen duke i bërë favore klientëve, ashtu si me këtë tender prej 13 milionë lekësh ku do të mbillet thjesht një rrënjë ulliri.
Nga SYRI TV
Partia Demokratike Elbasan këtë të enjte ka denoncuar aferën e një tenderi për rivitalizimin e rotondove të Elbasanit me vlerë 13 milionë lekë.
Sipas Sekretarit për Organizimin në Partinë Demokratike, Ledian Muzhaqi, kjo është afera e radhës e kësaj bashkie ku do të prishet i pari rrethi i luleve dhe do të mbillet një degë ulliri në vend të globit të vendosur.
Nisma “Denonco bashkinë” e inicuar nga ana e Partisë Demokratike, dega Elbasan, ka sjellë publikimin e shumë investimeve sidomos në infrastrukturën rrugore të papërfunduar, madje sipas PD-së aty janë denoncuar dhe shumë favore që bashkia i bën klientëve të saj.