Tersin në institucione nuk heq therja e pulës zezë, por lufta ndaj korrupsionit

Nga Elkier Bushkolaj/

Gazetari i Syri Tv Xhemil Beharaj sot  tentoi disa herë të lidhej me Kryetaren e Bashkisë Lushnje, Eriselda Sefa, për të marrë një reagim për vdekjen e 48 vjeçares, Shpresa Cani, në paradhomën e zyrës së saj.

Eriselda edhe pse e gjeti kohën  që pas vdekjes së 48 vjeçares, t’u kërkonte vartësve të therin një pulë për të hequr tersin në institucion, nuk e gjeti mundësinë  të sqaronte publikun me zë dhe figurë  përmes medias lidhur me këtë ngjarje, por u mjaftua me një komunikate plot 24 orë pas vdekjes se 48 vjeçares Shpresa Cani.

Kjo e fundit kishte shkuar në bashki për të kërkuar një ndihmë ekonomike prej 3 mijë lekësh të reja, teksa së bashku me babain jetonin në kushte ekstremist të vështira në fshatin Fier-shegan. 48 vjeçarja ishte me kemp e vuante nga disa sëmundje, por as kjo nuk mjaftoi që së paku të trajtohej me dinjitet në zyrat e shtetit dhe zgjidhja e problemit të mos kalonte domodoshmërisht nga zyra e titullarit të institucionit.

Eriseldës duhet ti thotë ndonjë nga këshilltarët e saj se antidoti i tersit në atë pozicion nuk është therja e një pule, por lufta e korrupsionit dhe mbi të gjitha trajtimi me dinjitet i çdo qytetari që  troket në atë zyrë, ku ajo është emëruar si Kryeshërbëtore.

Kryetares së Lushnjës duhet ti kujtojë dikush se ish kreu i asaj bashkie , Fatos Tushe dhe disa vartës të tij janë  në burg nën akuzën e korrupsionit.

2 vite më parë konkretisht në 31 dhjetor të 2019, në zyrën ku sot është Eriselda Sefa, shpërtheu një granatë ku mbeti i plagosur Kryetari i Bashkisë, Fatos Tushe dhe mbeti e plagosur rëndë sekretarja e tij, Eriselda Qalliu. Granata u hodh nga ish shoferi i Tushes, e pak kush e beson se konflikti mes tyre ka ndodhur për çështje parimore.

Në 11 nëntor të këtij të viti, Kryetari i Bashkisë Divjakë të rrethit të Lushnjës, Fredi Kokoneshi së bashku me shoferin e tij, u qëlluan me thike nga Gazmir Bullari, ish punonjës i kësaj bashkie. Në themel të këtij konflikti ishte pretendimi i Bullarit për largim të padrejtë nga puna.

Babëzia dhe ligësia ndoshta nuk e kanë një limit, por e sigurtë e kanë një faturë që herët ose vonë paguhet...........