SYRI TV/ Koncensionarët PPP në shëndetësi, 47 milionë euro përfitim pa kryer shërbimet

Koncensionarët e shëndetësisë kanë përfituar padrejtësisht 5.6 miliardë lekë për shërbime të pakryera dhe në kundërshtim me ligjin mbi TVSH-në. Për të gjithë periudhën e koncesionit për katër kontrata, do të përfitojnë nga buxheti i shtetit 45,4 miliardë lekë pa TVSH, ndërsa investimet që ato parashikojnë nuk janë më shumë se 4,3 miliardë lekë ose rreth 9 % e fondeve.

Nga SYRI TV

Katër kontratat koncensionare PPP të shëndetësisë, “Check-up”, Dializa, Laboratori dhe Sterilizimi, gjatë periudhës 2015 -2021 kanë përfituar rreth 5.6 miliardë lekë për shërbime që nuk i kanë kryer dhe në kundërshtim me parimet ligjore të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Sipas studimit të “Together for life”, i cili ka analizuar raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, dëmi i pjesshëm ekonomik nga koncesionet në shëndetësi përbëhet nga 1,5 miliardë lekë pagesa për shërbime që nuk janë kryer ndaj koncesioneve të “Check up” dhe “Dializës , ndërsa rreth  4,1 miliardë lekë janë dëm në përllogaritjen e TVSH-së.

Sakaq investimet e realizuara nga koncesionarët kanë qenë minimale.  Katër kontrata do të përfitojnë nga Buxheti i shtetit 45,4 miliardë lekë pa TVSH, ndërsa investimet janë jo më shumë se 4,3 miliardë lekë ose rreth 9% e fondeve të përfituara, nga të cilat deri në fund të vitit 2022, kanë përfituar rreth 22,3 miliardë lekë ose 50% të vlerës totale.

“Transparency internacional” që prodhon indeksin me te besueshëm global kundër korrupsionit i ka konsideruar koncesionet në shëndetësi me nivel të lartë të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor si dhe në Turqi.