48-vjeçarja vdiq duke kërkuar ndihmën ekonomike/ Kryebashkiakja fshihet pas ‘pulës së zezë’

Një ngjarje tronditëse u regjistrua në ambientet e Bashkisë së Lushnjes.

Një 48-vjeçare, e identifikuar si Shpresa Cani, kishte shkuar në Bashkinë e Lushnjës për t’u ankuar se i kishin hequr ndihmën ekonomike.

Cani, e cila gjendej në kushte të vështira ekonomike dhe shëndetësore, ka pasur një debat të ashpër fillimisht me punonjësit e Bashkisë së Lushnjes. Ajo ka kërkuar llogari se përse e kanë hequr nga lista e ndihmës ekonomike.

Pas debatit në zyrën e ndihmës ekonomike, atë e kanë nxjerrë me dhunë.

Në këtë momente, 48-vjeçarja ka kërkuar një takim me kryebashkiaken Eriselda Sefa dhe ka tentuar që të futet në zyrën e saj. Edhe në këtë rast, Cani është tentuar të nxirret forcërisht nga zyra. Ka qenë ky momenti fatal kur ajo është nxjerrë me forcë, por ka pësuar atak kardiak.

Lajmi është fshehur fillimisht nga policia, pasi ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë. Vetëm më vonë nxori një njoftim të thatë mes njoftimeve të ditës.

“U referuan materialet në prokurori për vlerësim, pasi në datën 28.12.2022, në ambientet e bashkisë së Lushnjës, ka humbur jetën shtetasja Sh. C., 60 vjeçe, banuese në Fiershegan. Paraprakisht dyshohet se 60-vjeçarja e ka humbur jetën nga shkaqe natyrale,” thuhet në njoftim.

Ndërkaq, mediat pranë qeverisë kanë tentuar ta maskojnë lajmin, sikur Cani është ndjerë keq në takimin me kryebashkiaken Eriselda Sefa. Madje kjo e fundit u ka thënë gazetarëve se ka kërkuar që të theret një pulë e zezë në ambientet e bashkisë.