Vartësja e Veliajt seksere fondesh në AZHBR, zhvati 344 mijë euro nga bizneset në Korçë
Arrestohet për mashtrim drejtoresha e mjedisit në bashkinë e Tiranës Viola Sterjo. Sipas policisë mësohet se për zyrtaren e institucionet vendor të kryeqytetit, gjykata e Korçës kishte vendosur masën e sigurisë arrest me burg pasi ajo ka mashtruar subjekte të ndryshme tregtare se do të ndërhynte, që ata të përfitonin projekte nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural me vlera miliona euro.
Si drejtoreshën e Drejtorisë së Administratës Shtetërore në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, 39-vjeçarja u kishte premtuar subjekteve se kishte akses të ndërhynte në projekte të AZHBR që ata të përfitonin grante, dhe në këmbim të këtyre ajo ka përfituar nga 5 personat që e kanë denoncuar 344 mijë euro ryshfet.
Syri Tv ka zbardhur të pesta denoncimet e atyre që kanë dhënë ryshfet për të përfituar grante nga AZHBR të cilët akuzojnë Sterjon se i ka mashtruar pasi nuk kanë përfituar asnjë grante.
Sipas Prokurorisë së Korçës, mësohet se më 12 dhjetor 2022 ne prokurorinë e Korçës ka bërë kallëzim një qytetar nga Korça i cili kishte një pronë në Voskopojë dhe në të donte të ndërtonte një hotel.
Ai përmes një të njohuri kishte takuar Viola Sterjon, punonjëse e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit në atë kohë, e cila i kishte premtuar se do të ndërhynte tek AZHBR për të përfituar një grant.
Fillimisht denoncuesi i ka dhënë Sterjos 57 mijë euro dhe 1.000.000 lekë. Por edhe më herët ka pasur denoncime për Sterjon. Një qytetar nga Pogradeci ka akuzuar drejtoreshën e bashkisë së kryeqytetit se i ka dhënë shuma parash për të përfituar projekte.
Në fillim i ka dhënë 9 mijë dhe më pas 28 mijë euro dhe në këmbim sipas denoncuesit do të merrte një grant nga AZHBR me vlerë prej 1. 2 milion euro për të ndërtuar një bujtinë. Një tjetër qytetar nga Korça sipas Prokurorisë i ka dhënë Sterjos 160 mijë euro pasi ajo i ka premtuar një grant prej 2.2 milionë euro.
Pas disa muajsh, denoncuesi i cili nuk e kishte përfituar grantin i ka kërkuar Sterjos t'ja kthente shumën e parave, por ajo i kishte thënë, se granti nga 2.2 milionë euro do të shkonte në 4.5 milionë euro.
Por denoncimet në drejtim të Sterjos kanë vijuar nga një tjeter biznesmen i cili deklaron se së bashku me dy ortakë do ndërtonte një resort në Voskopojë. Për këtë ai i ka dhënë Sterjos 90 mijë euro, pasi kjo e fundit i ka premtuar se ka aplikuar tek AZHBR për ndërtimin e resortit me vlerë 2 milionë euro.
Nga shuma prej 90 mijë euro, Sterjo i ka kthyer denoncuesit 20 mijë euro, pasi ky i fundit ishte informuar se në emër të tij nuk ishte bërë asnjë aplikim për të përfituar financim. Me kontratë noteriale Sterjo i njihte detyrimin prej 90 mijë euro dhe nëse nuk ia kthente brenda 6 muajsh do linte si garanci banesën e vjehrrit të saj.
Por Viola Setrjo është një emër i njohur për Partinë Socialiste. Përveç se ka mbajtur pozicione drejtuese në administratë, emri i 39-vjeçares është në listën e personave që japin kontribute për Partinë Socialiste.
Në lidhje me këtë arrestim për mashtrim të rëndë, ka reaguar edhe kandidati për kryetar bashkie i PD-së Belind Këlliçi. Ai e ka cilësuar Viola Sterjo, simbolin e Bashkisë Tiranë.
Në rrjetin e tij social facebook, Këlliçi shkruan:
Dora e MJAFT-it, rrethi i Veliajt, shkollë korrupsioni.
I cakton kryebashkiaku në pozicione strategjike për të kapur paranë publike. Zullumqarë. Ekip i denjë vetëm për qeli. Një Gjykatë europiane, e paintimiduar nga politika, do t'i kishte nxjerrë nga bashkia me pranga. S'do të kishin as mundësinë për të kandiduar.