Masakra e Lushnjes/ Vijon gjykimi për Laert Haxhiun në GJKKO, dëshmitarët identifikojnë personat në video

Masakra e Lushnjes me 2 viktima e 2 të plagosur vijon të jetë çështje në gjykim në GJKKO më shumë se 5 vite nga ngjarja. Këtë të mërkurë në lidhje me procesin për Laert Haxhiun, një nga autorët e dyshuar, u pyetën dëshmitarët, të cilët mohuan prezencën e Laert Haxhiut dhe Orges Bilbilit pranë karburantit ku ndodhi ngjarja.

Për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, për të cilën vijon procesi gjyqësor në mungesë në ngarkim të Laert Haxhiut si një nga autorët e dyshuar, Gjykata e Posaçme ka pyetur këtë të mërkurë disa nga dëshmitarët.

 Mes tyre ishte Saimir Taullau, pronar i karburantit pranë të cilit ndodhi ngjarja si dhe menaxherin Lorenc Lala.  Taullau dhe Lala nuk pranuan se në pamjet filmike të shfaqej Laert Haxhiu apo Orgest Bilbili, apo ti kishin parë ditën e ngjarjes, ndërsa identifikuan disa nga personat që kanë vizituar karburantin dhe lokalin.

Për Taullaun, prokurorja Doloreza Musabelliu kërkoi rrëzimin e dëshmisë, për shkak se ka mospërputhje në dy deklaratat e tij në dy kohë të ndryshme ku i referohet njohjes së dy personave që dyshohet të jenë përfshirë në ngjarje. Kontraditat qëndrojnë sipas saj në identifikimin e personave dhe ndryshimin e qëndrimit se kishte dërguar fjalë në familjen e viktimës.

Dëshmitari tjetër, Lorenc Lala tha se Laert Haxhiun dhe Orgest Bilbilin i njihte. Të parin thotë se e kishte takuar në burg ku shton se shkoi për ti dërguar ushqim pronarit të tij Saimir Taullaut që ndodhej prapa hekurave 8 vite më parë, dhe bashkë me të ndodhej edhe Laert Haxhiu.

GJKKO ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, të shpallur fajtor për masakrën e Lushnjes ku mbetën të vdekur Zamir Latifi Jurgen Hoxha, si dhe u plagosën Bujar Turku e Marius Xhepexhiu.

 Ndërkohë që ka rinisur procesi në mungesë për Leart Haxhiun, i cili ndodhet në fazën e pyetjes së dëshmitarëve. Masakra është konsideruar nga autoritetet si një tentative e Orges Bilbilit, Laert Haxhiut e Anterio nKaloshit, për ekzekutimin e nipit të Aldo Bares, Xhuliu Shkurtit, i cili iu ka shpëtuar disa tentativave për ta vrarë, që vinin si shenjë hakmarrje dhe vijim i sagës së ngjarjeve që nisin nga fundi i viteve 90.