Mbyllen hetimet për Ibrahim Lekicën, SPAK çon për gjykim dosjen e 'terroristit'

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet duke kaluar për gjykim kërkesën në ngarkim të Ibrahim Lekicës, i akuzuar për nxitje të terrorizmit. Sipas SPAK është dokumentuar, që i pandehuri, përmes rrjeteve sociale, në gjuhën arabe, përhapte mesazhe të nxitjes së akteve terroriste.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka çuar për gjykim çështjen e Ibrahim Lekicës i akuzuar për thirrje terroriste esktremiste dhe nxitje të urrejtjes.

SPAK në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (Oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Antiterrorit) dhe Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim procedimin penal, në ngarkim të të pandehurit Ibrahim El Salih (Lekica).  

Në njoftimin e Spak thuhet se nëpërmjet postimit të përmbajtjes së shkrimeve nga ana e të pandehurit manifestohen thirrje/propagandë që të shtyjë ndjekësit e tij për të përkrahur luftën e shenjtë “xhihadin”, është solidarizuar me personat e vrarë në këtë luftë, me legjitimimin e krijimit të të ashtuquajturit shteti islam i Irakut dhe udhëheqësit e tyre, duke u solidarizuar me fitoren e luftëtarëve të shtetit islam të Irakut.

56-vjeçari Ibrahim El Salih, nga Kukësi u arrestua më 24 maj nga Drejtoria e Antiterrorit në Poicinë e Shtetit. Ai njihet si besimtar praktikant i fesë islame dhe ish-punonjës i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit.

Babai i dy fëmijëve të rritur i shpëtoi herën e parë kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës arrest me burg, ndërsa pas të njëjtit vendim nga apeli, SPAK bëri rekurs, duke e rikthyer me vendim të gjykatës së lartë në qelitë e paraburgimit.