Malasi: Deklaratat e Krifcës, jo normale! Nuk përfaqësohemi në tregun ndërkombëtar

Prodhuesi dhe eksportuesi i vajit të ullirit, Buran Malasi, komentoi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv krizën e vajit të ullirit në Shqipëri, mungesën e tregut dhe deklaratën e ministres Krifca një ditë më parë. Buran Malasi tha se ky vit ishte i bollshëm por i gjeti të papërgatitur fermerët dhe përpunuesit ndërsa deklaratat e Krifcës nuk i quan normale.

"Shyqyr që erdhi ky vit që të na prezantojë, se pa ardhur ky vit nuk prezantohemi në tregun ndërkombëtar. Deklaratat e ministres nuk janë normale. Problemi është që fermeri jonë s’është i përgatitur për të çuar vaj jashtë shtetit, s’është i përgatitur për në kohë, vaji duhet në kohë, nuk bëjnë dot vaj sot për ta çuar në SHBA, për vaj ekstra të virgjër duhet ulliri gjysëm i pjekur."-tha Malasi.

Buran Malasi u shpreh se deri në këto momente që flasim, janë vjelë 95 për qind e prodhimit ndërsa shtoi se problem mbetet mungesa e fuqisë punëtore.

“Për një vaj të mirë duhet fuqi punëtore, ta vjelësh në kohë, ta bësh vajin brenda ditës, atëherë e ke tregun të garantuar, për cilësinë, ky është problem i madh. Unë punoj për të tretë, ma sjellin ullirin dhe e përpunoj, me vështirësi i gjejnë punëtorët. Këtë vit ka qenë e vështirë për të gjetur punëtorë.”-tha Malasi.