Ja kush shpallet gjyqtari më i mirë i Botërorit të Katarit
Gjyqtari italian Daniele Orsato është shpallur arbitri më i mirë i Botërorit të zhvilluar në Katar.
Orsato mori një çmim të quajtur Premio Internazionale Giulio Campanati falë punës që bëri në tre ndeshje të Kupës së Botës. Italiani ka gjykuar ndeshjet e fazës së grupeve mes Katar – Ekuador dhe Argjentinë – Meksikë, si dhe gjysmëfinalen mes Argjentinës dhe Kroacisë.
Çmimi i përmendur është dhënë që nga Kupa e Botës 2014 në Brazil për nder të ish-arbitrit ndërkombëtar, drejtorit të UEFA-s dhe kreut të Federatës Italiane të Gjyqtarëve të Futbollit (AIA) Campanati, i cili vdiq në tetor 2011.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve organizohet nga Shoqata “Amici di Giulio Campanati”, e cila përzgjedh gjyqtarët më të mirë të kampionateve botërore dhe europiane.
Ish-arbitri Nicola Rizzoli e fitoi çmimin në vitin 2014 pas Kupës së Botës në Brazil, si dhe në vitin 2016 pas Euros në Francë. Në vitin 2018 argjentinasi Nestor Pitana u shpall arbitri më i mirë i Botërorit dhe pas Euro 2020 titulli i shkoi holandezit Bjorn Kuipers.