Tensionet në veri, Ramadani: Lirimi i Pantiç, i jashtëligjshëm! Arifi: Ka marrëveshje mes palëve, qeveria ka gabuar
Gazetari Arbër Ramadani dhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, komentuan në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv tensionet në veri të Kosovës dhe lirimin e ish-policit Dejan Pantiç.
Ramadani deklaroi se lirimi i tij nga masa e paraburgimit paraqet një anomali të sistemit juridik të Kosovës. Gazetari theksoi më tej se lirimi i ish-policit është kryekëput politik ndërsa shtoi se Kurti mund ta ketë urdhëruar vetë dhe po luan lojën.
“Akuza ndaj tij është për sulm terrorist dhe vepra sulm terrorist në rastin më të lehtë dënohet me 5 vite burg, në raste të tjera deri në 15 vite burg. Prandaj lirimi nga paraburgimi paraqet një anomali ligjore dhe prokuroria speciale e Kosovës ka bërë kërkesë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë për zbutjen e masës. Në arsyetimin e tyre përmendin shëndetin e Pantiç.
Besoj dhe tek ndikimi i politikave ndërkombëtare për të marrë këtë vendim. Që vendimi është politik, nuk kam dyshim, por nëse e ka ditur Kurti apo jo, këtu është dyshimi. Nëse reagimi i ministres së Drejtësisë dhe Kurtit, ose janë një maskë, ose nuk e kanë ditur.”-tha Ramadani.
Eksperti Dritëro Arifi është i mendimit se zakonisht nga pala serbe hidhen lajme propagandistike për të irrituar Prishtinën zyrtare. Arifi theksoi se qartazi ka një mirëkuptim mes palëve ndërsa shtoi se qeveria Kurti ka bërë disa gabime, duke interferuar ndaj një organi të pavarur të drejtësisë.
“Nuk e di a ka marrëveshje politike drejtpërdrejt por tërthorazi ka një mirëkuptim për rastin dhe Pantiç është në arrest shtëpie. Qeveria e Kosovës, sistemi ligjor, ai dyshohet për terrorizëm, prokuroria e ka kuptuar që ai nuk mund të ikë se kufijtë janë bllokuar dhe me siguri kanë garanci që ai do qëndrojë në shtëpi. Duhet të jemi dhe ligjërisht korrekt.”-tha Arifi.