Kurti: Shteti nuk do të bisedojë me kriminelët, por do t’i arrestojë ata!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shteti që ai udhëheq nuk do të bisedojë e bashkëpunojë me kriminelët, siç i ka quajtur ai, që kanë vendosur barrikadat në veri, por do t’i arrestojë ata.
Në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se këta kriminelë, që janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, po mbështeten nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, njofton Koha.net.
“Përsa i përket situatës në komunat në veri të Kosovës, veprimeve dhe vendimeve të ligjshme të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës u janë kundërvënë kriminelët duke sfiduar organet e zbatimit të ligjit dhe duke cenuar sigurinë. Fatkeqësisht, këta kriminelë të sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania po mbështeten nga Presidenti dhe Qeveria e Serbisë me qëllim destabilizimin e rajonit, përveç cenimit të integritetit territorial të Kosovës. Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelë, por do t’i arrestojnë ata”, ka thënë kreu i ekzekutivit.
Për vendosjen e barrikadave, Kurti ka theksuar se ky veprim është i paligjshëm, i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet. Ai theksoi se i kanë dhënë KFOR-it kohën dhe hapësirën e nevojshme për të vepruar.
“Nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë, edhe barrikadat që e pengojnë lëvizjen e lirë”, ka thënë Kurti.
Veriu i Kosovës ka ngelur i bllokuar që nga 9 dhjetori, kur serbët për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit Dejan Pantiç, vendosën mbi 13 barrikada në zona të ndryshme në veri. Pantiçi dyshohet se organizoi sulmet ndaj komisioneve komunale zgjedhore.
Barrikada e re u vendos të martën në mbrëmje dy kilometra larg pikës kufitare Merdarë në anën e Serbisë. Gjatë ditës së hënë, Bashkimi Evropian dhe KFOR-i kanë kërkuar që të hiqen barrikadat në veri.