Ish-Kryeministri Hoti, thirrje Kurtit: Hiqini barrikadat, dëgjojini këshillat e miqve për Dialogun!
Ish-Kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti, i ka propozuar Qeverisë Kurti, 4 pika thelbësore të dalë nga situata e rrezikshme që ka krijuar Serbia në veri të vendit. “Veprimet që e nxjerrin Kosovën nga ky kurth i Serbisë”, ka shkruar Hoti dhe ka renditur:
“1. Hiqni barrikadat në veri në bashkëpunim me KFOR-in. I keni lënë të zënë vend tepër gjatë.
2. Kërkoni me ngulm nga BE-ja dhe SHBA-ja të bëjnë presion tek Serbia të mos pengohen dhe të mos rrezikohen qytetarët tanë që kalojnë nëpër Serbi.
3. Ruajeni paqen fuqishëm. Tregoni gatishmëri për dialog dhe zgjidhje paqësore. Dëgjoni këshillat e miqve për veprimet që duhet ndërmarrë në kuadër të dialogut.
4. Mos përmendni luftë e konflikte. Luftën e kemi paguar shtrenjtë, por e kemi fituar me ndihmën e miqve. Rreziku është të humbim në paqe për shkak të humbjes së mbështetjes nga miqtë tanë.”