Fëmijët romë u sëmurën nga puset e ndotura, gjykata detyron Ujësjellësin e Krujës t'i furnizojë me ujë
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë e ka detyruar ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve të Krujës, për të furnizuar me ujë të pijshëm anëtarët e Komunitetit Rom në Lagjen Kastriot (Fushë Krujë). Lajmin e dha Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
"Në lagjen “Kastriot” banon një komunitet prej rreth 1200 banorë, ose 250 familje, kryesisht komunitetin rom.
Në vitin 2005, Bashkia Krujë mundësoi përkohësisht furnizimin me ujë të pijshëm të këtij komuniteti. Ky shërbim nuk zgjati në kohë pasi Bashkia ndërpreu furnizimin me ujë me pretendimin se banorët shpërdoronin ujin dhe nuk e paguanin atë.
Familjet e lagjes “Kastriot” në kushtet e mungesës së një zgjidhjeje efektive nga ana e institucioneve i plotësonin nevojat e tyre për ujë të pijshëm nëpërmjet shpimit të puseve private pranë banesave të tyre.
Duke qenë se banesat e këtij komuniteti janë shumë pranë Lumit Zezë, Fushë Krujë, ujërat nëntokësorë përzihen me ujërat e lumit të ndotur, çka e bën ujin në puse të jetë i papërshtatshëm për konsum. Si rrjedhojë e ndotjes, në vitin 2014 një numër i konsiderueshëm banorësh, kryesisht fëmijë u infektuan me Hepatit A, si edhe u diagnostikuan me probleme diarreje dhe veshkash.
Pas kësaj ngjarje, në vitin 2015, edhe pse një institucion fetar (Kishë) hapi një pus për komunitetin Rom për akses me ujë të pastër dhe që plotësonte standardet dhe cilësinë për të qenë i pijshëm, ata sërisht i drejtoheshin puseve të hapura. Shkak për këtë ishte bërë mungesa e mundësive financiare për të paguar energjinë elektrike për funksionimin e transformatorit të pusit.
Pas vënies në dijeni mbi situatën e vështirë me të cilën po përballeshin anëtarët e këtij komuniteti, avokatët e Komitetit Shqiptar të Helsinkit në bashkëpunim dhe me mbështetjen e European Roma Rights Centre (ERRC), përfaqësuan para Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, 8 banorë të lagjes, të prekur drejtpërdrejtë nga kufizimi i pabazuar i të drejtës për të aksesuar në ujë të pijshëm. Banorët argumentuan se cënimi i të drejtës për të aksesuar në ujë të pijshëm, interpretohet si impakt mbi të drejtën e jetës.
Procesi gjyqësor i cili zgjati rreth 1 vit u shoqërua me diskutime proaktive ndërmjet pjesëmarrësve në proces, Bashkia Krujë, Ujësjellës Kanalizime Krujë sh.a, Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizime, Ministrisë se Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe personave të tretë Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatura e Shtetit dhe Avokati i Popullit .
Më herët, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi konstatoi diskriminimin e banorëve, por nisur nga ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, KShH ju drejtua Gjykatës për të konstatuar diskriminimin e drejtpërdrejtë, për shkak të “Përkatësisë në një grup të veçantë” dhe “Mohimit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe higjenës”, si rrjedhojë e përkatësisë etnike eome. Gjykatës iu kërkua edhe vënia në funksion e linjës së ujësjellësit nga Ujësjellës Kanalizime Krujë sha., si dhe shpërblimi i dëmit në formën e moral dhe dëmit ekzistencial.
Më 22 Nëntor 2022, Gjykata pranoi pjesërisht kërkesë padinë, duke detyruar Ujësjellës Kanalizime Krujë që të furnizojë me ujë të pijshëm palët paditëse në lagjen “Kastriot”, Krujë. Duke qenë se kërkimet e tjera nuk u pranuan, avokatët e KShH-së në mbrojtje të interesave ligjore të paditësve depozituan ankim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
Beteja ligjore vazhdon për rivendosjen në vend të të drejtave të cënuara," përfundon Komiteti Shqiptar i Helsinkit.